Parku i Butrintit ka përplasur në distancë deputetin e PD-së, Agron Shehaj dhe ish-ministrin socialist Daimin Gjiknurit.
Përplasja nisi pas një denoncimi që bëri Shehaj në ‘Facebook’ ku pohoi se një pjesë e parkut arkeologjik të Butrintit po i jepet kompanisë “Manastir Resort”, që sipas tij zotërohej nga familjarët e Gjiknurit, konkretisht nga djali i xhaxhait.
Sipas akuzave të Shehajt, në këtë vend do të ndërtohej një resort.
Ky denoncim solli reagimin e Gjiknurit, i cili mohoi akuzat e deputetit.
“Pas resortit me 5 yje të Xhaçkës, Rama i jep një pjesë të parkut të Butrintit familjarëve të ish-ministrit Gjiknuri, aktualisht numri 2 i Partisë Socialiste.
Qeveria vazhdon favoret korruptive për ministrat, ish ministrat dhe të afërmit e tyre. Vendimi më i fundit i Komitetit të Investimeve Strategjike, që kryesohet nga Edi Rama është dhënia e statusit të investitorit strategjik për “Manastir Resort”.
50% e Kompanisë që përfitoi statusin e investitorit strategjik zotërohet kompania ANDI. Kompania Andi zotërohet nga djali i xhaxhait të ish-ministrit të infrastrukturës Damian Gjiknuri, sot sekretar i përgjithshëm i Partisë Socialiste.
Pra gjysma e resortit që përfitoi nga qeveria statusin e investitorit strategjik dhe lehtësirat që të ofron ky status zotërohet nga njerëzit e afërt të Damian Gjiknurit. Por nuk është vetëm ky problemi.
Resorti “Manastir Resort” do të ndërtohet pranë parkut arkeologjik të Butrinit. Pak kohë më parë qeveria e zvogëloi parkun duke nxjerrë 800 hektarë nga zona e mbrojtur, pikërisht që aty të ndërtonte resorti kushëriri i Damian Gjiknurit. Kjo qeveri është kampione e korrupsionit, ndërsa ligji i investimeve strategjike është instrumenti korruptiv përmes të cilit ajo po grabit tokat e bregdetit. I bëj thirrje SPAK të nisë urgjentisht hetimet për këtë aferë të neveritshme në mënyrë që shqiptarët të mos grabiten nga qeveria dhe zyrtarët e Partisë Socialiste”-shkruan Shehaj.
Pas denoncimit të deputetit Shehaj, reagoi deputeti socialist Damian Gjiknuri i cili tha se nuk mund të pranojë që çdokush me mbiemrin e tij dhe që merret me biznes të jetë automatikisht kushëriri i tij.
Ai thotë se nëse gjykata provon akuzat e Shehajt ai do mbajë përgjegjësi duke paralajmëruar deputetin demokrat se nëse humbet do i duhet ta paguajë për cenim të qëllimshëm të imazhit.
“E siguroj deputetin Agron Shehaj se unë nuk jam si ata të partisë së tij që mohuan baxhanakun e ndjerë në Gërdec. Nuk kam ama se si të pranoj që çdokush që mban mbiemrin Gjiknuri dhe që merret me biznes duhet të jetë automatikisht djali i xhaxhait tim. Çdokush mban përgjegjësi e përgjigjet për ato që bën. Le ta provojë gjykata e do ta mbaj unë përgjegjësinë, por nëse unë nuk e kam djalë xhaxhai personin e përgojuar nga Agron Shehaj, atëherë Agroni duhet të më dëmshpërblejë për cënim të qëllimshëm të imazhit!”-shkruan Gjiknuri