Vendosni fjalën kyçe....

Sulmet ndaj SPAK-ut/ Rama del në konferencë: E nevojshme që politikanët e korruptuar të hetohen


Kryeministri Edi Rama po mban sot një konferencë për mediat bashkë me ministrin e Drejtësisë Ulsi Manja për të folur pas sulmit që ai i bëri SPAK-ut, në Asamblenë e partisë.

“Jemi sot këtu në vijim të një diskutimi që është ngjallur nga deklarata ime në Asamble lidhur me nevojën që SPAK të hetojë në mënyrë gjithëpërfshirëse korrupsionin e politikanëve dhe të gjykatësve e prokurorëve të korruptuar të cilët si të tillë janë përjashtuar nga procesi i vetingut.”- e nisi fjalën e tij Rama.

Më tej ai shtoi se disa e kanë quajtur qëndrimin e tij si presion mbi drejtësinë, disa frikë nga humbja e pushtetit, përpjekje për të fshehur dështimet e qeverisë… Por sipas Ramës e rëndësishme për të është të bëhet ky diskutim.

“Disa e kanë quajtur këtë presion mbi drejtësinë, disa frikë nga humbja e pushtetit, ndërsa të tjerë e kanë komentuar si përpjekje për të fshehur dështimet e qeverisë apo orvatje të kota. Pavarësisht interpretimeve për mua më e rëndësishmja është që ky diskutim të bëhet sepse SPAK-u së shpejti mbush 3 vjet, vettingu dhe pak javë mbush 5 vjet dhe për pak vite pritja e popullit shqiptar për një drejtësi të drejtë dhe të barabartë mbush 35 vjet.

Prandaj si dikush që për shkak të detyrës e ka udhëhequr politikisht, moralisht dhe vendosmërisht reformën në drejtësi në emër të forcës politike që i ka dhënë kësaj reforme të gjithë fuqinë e mbështetjes së vetë, morale, politike, profesionale që nga pikënisja e deri sot, por edhe si njeriu që është sulmuar më fortë për këtë reformë jo vetëm nga kundërshtarët e saj të betuar, por edhe mbështetësit e saj që janë krejt të palumtur sot dhe me të drejtë sipas meje, për shkak të mosgjithanshmërisë së spektrit të hetimeve të deritanishme, unë besoj që të drejtën në këtë moment që në një farë mënyre mbyll një cikël dhe hap një cikël në aspektin kohor, të drejtën që ta ndaj me opinionin publik qëndrimin tim për punën e drejtësisë së re nuk ma heq dot askush.”- deklaroi Rama.