Një debat i ashpër ka ndodhur pak më parë në Kuvend mes Ministrit të Drejtësisë Ulsi Manja dhe ish-kryeministrit Sali Berisha.
Pas një fjalimi të Berishës për barazinë gjinore, ministri i Drejtësisë mori fjalën dhe kërkoi ish-kryeministrit që të mos flasë për barazi gjinore pasi është kujtuar shumë vonë. Për më tepër sipas tij, gjuha e përdorur nga Berisha është përsëri dhunë për vajzat dhe gratë shqiptare.
“Kur e dëgjon Berishën që flet me kaq patos për barazinë gjinore, të mbushet mendja që ke përpara kalorësin e barazisë gjinore. Është kujtuar shumë vonë. Prodhoi gjithë ato tragjedi, që i kanë paguar me kosto shumë të madhe shqiptarët. Edhe gjuha që përdore sot, është dhunë për vajzat dhe gratë shqiptare. Gjuhë e zezë, që s’ka lidhje fare me barazinë gjinore. Në këtë moshë e vetmja gjë e mirë që mund të përçosh është të heshtësh minimumi.”-u shpreh Manja.
Pas këtyre fjalëve, Berisha u afrua për t’i bërë vetëm një pyetje të shkurtër Manjës: “Pse u bëre bodygardi i Ramës këtë javë?!” Ai i referohet konferencës së kryeministrit Edi Rama me gazetarët, ku foli për çështjen e SPAK-ut.
“Me një pyetje të vetme, çtë shtyn Ulsi të bëhesh bodygardi i Ramës këtë javë? Unë e di, por më mirë ti hapja zemrën kolektivit. Kaq kisha.”- tha Berisha.
Një pyetje që duket e ka nervozuar shumë Manjën i cili u përgjigjigju se ndihet krenar që është shërbëtor i kësaj qeverie.
“T’i përgjigjem meqenëse bëri pyetje. Sali, Edi Rama është në mandatin e tretë qeverisës sepse e votojnë mbi 800 mijë shqiptar dhe unë jam krenar që jam shërbëtor në qeverinë Rama III, shërbëtor i qytetarëve shqiptarë. Kështu që rri pa merak për këtë pjesë se unë jam krenar që jam pjesë e kësaj maxhorance dhe i kësaj qeverie.”– u përgjigj Manja, të cilin ndërkohë që fliste Berisha e përshëndeste me dorë dhe duke buzëqeshur ndërsa linte sallën e Parlamentit.