Vendosni fjalën kyçe....

“Inskenime të pista, perverse të Gaz Bardhit!” – Tritan Shehu reagon për deklaratat e kolegut për vilën “760 mijë euroshe”



Tritan Shehu ka reaguar në lidhur me deklaratat e deputetit Gazment Bardhi se një ish-ministër i PD-së dhe deputet sot është peng i kryeministrit Edi Rama, për shkak të zotërimit të një vile 760 mijë euroshe.

Ai i quajti deklaratat e Bardhit “inskenime të pista. Më pas i kujton atij se nëse është në dijeni të ndonjë vepre kriminale e ka detyrim ligjor të bëjë denoncim në organet kompetente.

“Inskenime të pista, perverse të Gaz Bardhit!

Është vepër anti ligjore, përveçse ndesh dhe me çdo normë morali, transparence, ‘burrërie’, të përhapësh aludime e meskinitete për kolegët në publik e media.

Këtë po bën dhe Gazi prej disa ditësh, duke arritur kulmin mbrëmë, kur ngushton rrethin e të ‘akuzuarve’ prej tij në 3-5 deputetë, përfshi dhe mua.

Dhe këtë e bën një deputet, ish-ministër i drejtësisë, pseudo jurist në fakt ai.

Me këtë rast dëshiroj t’i kujtoj këtij individi, pa as minimumin e personalitetit dhe integritetit se:

1-Është detyrim ligjor për çdo qytetar, veçanërisht deputet, të denoncojë në organet përkatëse çdo vepër kriminale që di, dhe mos ta përdorë për të hedhur aludime dyshuese, shpifjeje për kolegët.

Në rast se realisht ai di një vepër të tillë, siç deklaron dhe nuk e denoncon, akuzohet për fshehje një krimi, gjë për të cilën duhet thirrur nga organet e drejtësisë e dënuar ligjërisht.

2- Ndërsa në lidhje me përgjegjësitë morale e më gjerë të tij për shpifje, gënjeshtra etj, besoj se nuk ka ndonjë arsye për të humbur kohë duke ja kërkuar.

Ato mund t’i kërkohen vetëm dikujt që ka ndonjë vlerë morale, gjë që siç duket te Gazi mungojnë krejtësisht.

Një akt i turpshëm e pervers ky i këtij ‘burreci’!”– shkruan Shehu.

Bardhi shprehej mbrëmjen e kaluar në një emision se deputeti që ka një vilë me vlerë 760 mijë euro ka qenë ish-ministër në kohën e PD-së, duke ngushtuar rrethin në katër emra: Noka, Spaho, Shehu dhe Leskaj.

Gjatë seancës së sotme plenare ndodhi një debat, pasi Spaho iu afrua Bardhit duke e quajtur gënjeshtar për deklaratat e tij. Ndërsa Bardhi e quante atë “palaço”.

Spaho zbuloi edhe në një prononcim për mediet se çfarë i kishte thënë Bardhit.

“Ka shpifur dje në një emision që vilën prej 760 mijë euro mund ta ketë një nga katër deputetët: Noka, Shehu, Spaho dhe Leskaj. I mbushi brekët dhe nuk pranonte që e ka thënë.

I thamë që je shpifës, gënjeshtar dhe legen që thotë që vila 760 mijë euro është e njërit nga katër deputetët Noka, Shehu, Spaho, Leskaj.”– tha Spaho pas debatit.