Nga Brisida Shehaj
Në një ekonomi normale, të parët që duhet të shqetësoheshin për situatën e tregut janë pikërisht kompanitë private.
Në Shqipëri, një numër i madh kompanish varen nga konsumi, siç ka edhe nga ato që varen nga tenderat e qeverisë.
Ndalemi pak këtu. Në një vend ku shpopullimi është trend masiv, rënia e konsumit po ndikon përditë e më shumë.
Në një vend ku forca punëtore po largohet, ku kostot e saj po rriten përditë e më shumë, çuditërisht asnjë kompani nuk flet.
Po si është e mundur???
Përpos kompanive, as shoqatat e biznesit nuk flasin, sindikatat jo e jo se nuk dihet as ku janë (krenaria për mungesën e tyre shitet si vlerë nga qeveria tek investitorët e huaj), sistemi bankar nuk flet, të gjithë po HESHTIN.
Atëhere me një deduksion elementar, biznesi kryesor i kompanive mesa duket është qeveria. Varja konsumit e fuqisë blerëse. Derisa qeveria sanksionon me veprime e ligje situata monopoliste në treg, për momentin kjo për biznesmenët tanë (që veç të tillë nuk janë) është parajsa.
Por në një situatë të tillë kur qeveria bën siç do teksa shqiptarët largohen, paratë e pista kanë momentin e artë të shndërohen në burimin kryesor të të ardhurave. Dhe jo vetëm, pooor edhe burimi kryesor i likuiditeteve për masën më të madhe të bizneseve, sepse në të kundërt nuk do të shpjegohej sesi një a dy kompani të përfitojnë kontrata koncensionare marramendëse dhe të jenë njëkohësisht në gjendje të investojnë në to.
Por kjo lumturia në dritëshkurtësinë e tyre nuk mund të zgjasë.
Pse?
Sepse, sado e vogël kjo ekonomia jonë, sot është si një trup në koma, që mbahet në jetë me aparatura dhe shumë shpejt do të cedojë.
Largimi i shqiptarëve dhe varfërimi edhe më i madh i atyre, që do të mbeten do të bëjë, që produktet e këtyre “bizneseve” të mos kenë më konsumatorë.
Dhe jo vetëm…
Këto ndërtime të dalldisura do të kthehen në gërmadha e fantazma si dikur në Palermo dhe atëhere s’do ketë më as qeveri e as babuç që t’i mbrojë.
Ah sa vonë është për këta BOSAT ME MAKINA LUKSOZE, që të reagojnë!
Megjithëse kanë ende një fije shprese, se vdes e fundit ajo e gjorë. Të reagojnë sot. Tani! Jo NESËR!
Qeveria dhe bosat bëjnë mirë të kuptojnë se kriza që ndërtuan me babëzinë e tyre është aty, mbi krye, e rëndë dhe e pashpirt, e përpiktë për t’u shembur me precizion mu mbi kokat e tyre. E kur të bërtasin për shpëtim do jenë zhytur aq thellë në gërmadhën e babëzisë së tyre sa nuk do t’i dëgjojë askush…përveç betonit dhe shkresave të tenderave. Ua pafshin hajrin!