Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu ka dalë në një deklaratë për mediat jashtë Kuvendit ku u shpreh se kandidatura për presidentin e ri, duhet të jetë konsensuale.
Sipas tij nëse kjo nuk ndodh, atëherë opozita duhet të mbajë një qëndrim në Parlament.
“Opozita të ketë një kandidat. Ky duhet të jetë konsensusi i parë, duhet të jetë brenda opozitës. Ne si opozitë duhet të kemi një kandidat të përbashkët. Ky ka qenë diskutimi që kemi bërë, jemi takuar me shumë deputetë. Kam diskutuar edhe me Alibeaj, Bylykbashin dhe zotin Boçi dhe me kandidatë të tjerë. Besoj që duhet të jetë një njeri që qëndron mbi palët dhe që qëndron për unitetin e popullit, Nëse opozita nuk garanton unitet mes vetes e kotë të diskutojë me maxhorancën.”- tha Mediu.
Ai shtoi se nuk kanë folur për emra konkretë, por kjo mbetet për t’u diskutuar. Kreu i PR-së u shpreh se ka pasur diskutime edhe me PS dhe këto diskutime vazhdojnë ende, por theksoi se me rëndësi janë kriteret dhe më pas procedura.
“Është e domosdoshme deri tek pika kur arrijmë me bindjes se si do të votohet. Unë jam për një njeri që plotëson kushtet që i duhet Presidentit të Republikës.
Negociatat nuk duhet të jenë asnjëherë përjashtuese, nëse përcaktojmë kritere të qartë mendoj që kemi shanse për të arritur në një marrëdhënie të përbashkët. Ne si grup kemi qëndrim tonin dhe nuk mund të shkojmë në fund pa nisur procesin.
Unë nuk i bëj hesapet me Ramën, por me faktorin opozitar që ka një detyrim në raport me Kushtetutën dhe opinionin publik dhe nuk shkoj tek ideja për të bojkotuar procesin.”– theksoi Mediu.