Vendosni fjalën kyçe....

Rama nga Brukseli: Na vjen keq për Serbinë, por ne do mbështesim Kosovën


Kryeministri Edi Rama ka folur në një intervistë për mediat pas takimeve të zhvilluara në Bruksel me liderët e Ballkanit Perëndimor. Gjatë intervistës ai përsëriti qëndrimin se nëse Bullgaria nuk vendos të heqë veton ndaj Maqedonisë së Veriut, atëherë vendi ynë do të ndërmarrë një kurs tjetër.

Por Rama u pyet edhe për deklaratat e presidentit serb Aleksandër Vuçiç, i cili tha se Serbia do të rishikojë qëndrimin e saj nëse Kosova do të kërkojë anëtarësimin e Europës.

“Përpara darkës së mbrëmshme presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç deklaroi për mediat e tij që e shoqëronin se Serbia do të rishikojë qëndrimin e saj nëse Kosova do të kërkojë anëtarësimin e Europës. Shqipëria ka një qëndrim në lidhje me këtë? Cila do të jetë vota e saj?”- ishte pyetja drejtuar kryeministrit.

Rama theksoi se do të mbështesin Kosovën, edhe pse i vjen keq për Serbinë e cila sipas tij ka të drejtë të mendojë ndryshe.

“Kjo nuk do diskutim fare. Ne jemi shumë të qartë. Ne nuk kemi asnjë ekuivok. Ne jemi në mbështetje absolute të Kosovës në çdo hap dhe për çdo gjë që lidh Shqipërinë, Kosovën dhe komunitetin ndërkombëtar. Ndërkohë që ne kemi qasje komplet tjetër kur vjen puna tek normalizimi i marrëdhënieve hap pas hapi në aspektin ekonomik, në aspektin e lirisë së lëvizjes e të tjera e të tjera, me Serbinë paralelisht me betejën në tryezë, betejën diplomatike për dialog e kështu me radhë sepse besojmë që kjo është rruga, kjo është rruga dhe nga ana tjetër respektojmë plotësisht zgjedhjen e bërë nga autoritetet legjitime, të votuara, të mandatuara, përgjegjëse të Kosovës për të patur një qasje komplet tjetër në këtë aspekt. Por kur vjen puna tek demarshet e Kosovës në arenën ndërkombëtare, ne jemi 100% me Kosovën. Serbia sigurisht është në të drejtën e vet të mendojë krejt ndryshe, na vjen keq për Serbinë në këtë rast, por ne do të mbështesim Kosovën!”– tha Rama.