Rrëzohet kërkesa për rezolutën e dënimit të gjenocidit në Srebrenicë.
Votimi për nismën e deputetëve demokratë për gjenocidin në Srebrenicë nisi me debate pas deklaratave të forta të kreut të grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla përkundrejt Sali Berishës.
Balla i tha Berishës së ai s’do jetë deputet për 4 vjet dhe s’duhet të jetë fare në sallë pasi ka furnizuar Serbinë me naftë kontrabandë.
Ai kërkoi rihapje të çështjes së thyerjes së embargos nga Shqipëria. Pikërisht pas fjalës së Ballës nisi votimi, por vetëm 15 deputetë votuan pro nismës.
“Nuk miratohet, janë 51 vota kundër dhe 15 vota pro.”- tha Lindita Nikolla.
Berisha reagoi i revoltuar.
“Votuat sipas urdhrit të Aleksandër Vuçiçit. Shqipëria antishqiptarë të tillë me në krye Edi Ramën nuk ka pasur kurrë. Ju shkelmuat mbi gjakun, jetët e 8 mijë të pafajshmëve të Bosnjës. Votuat duke shkelmuar mbi jetën e dhjetëra qindra mijëra shqiptarëve që në gjenocidin ciklik serb ranë për t’u bërë të pavdekshëm.
Por ç’mund të presësh nga një trafikant, esikortë trafikantësh, kryetar i organizatës kriminale, skllav i një Aleksandër Vuçiç. Si mund të silleni kështu si kope?! Si mund të bëni ju shqiptar një votim të tillë?!
Së fundmi një sqarim, Sali Berisha në Shqipëri dhe OKB ka qenë kundër embargos që penalizonte Kosovës dhe ka marrë çdo masë kundër kontrabandës përveç furnizimit me të gjitha lloujet e armëve të mundshme të Bosnjës dhe Kroacisë.”- tha Berisha duke iu përgjigjur kështu dhe akuzave të Ballës.