Deputeti i PD-së, Agron Shehaj gjatë seancës së sotme plenare në Kuvend vijoi akuzat ndaj Damian Gjiknurit se të afërm të tij po grabisin pronat publike në jug.
“Një ditë më parë mësuam se të afërmit e një zyrtari të lartë të PS janë shpallur investitor strategjik, bëhet fjalë për kushërinjtë e Damian Gjiknurit. Ky i fundit tha se pronari i kompanisë që ka marrë statusin e investitorit strategjik nuk është djali i xhaxhait të tij, por është fakt se në Vlorë të gjithë e njohin pronarin e kompanisë strategjike ‘Andi’ si djalin e xhaxhait të Gjiknurit.”– u shpreh Agron Shehaj.
Ai i bëri thirrje Gjiknurit të japë sqarime para Parlamentit dhe opinionit publik lidhur me këtë çështje.
“I bëj thirrje Gjiknurit të sqarojë parlamentin dhe opinionin publik për këtë lidhje familjare. Edi Rama po e përdor ligjin e investimeve publike për të pasuruar bashkëpunëtoret e tij. Kemi të bëjmë me një aferë më të rëndë. Ky rast është akoma më i rëndë sepse qeveria zvogëloi muaj më parë parkun e Burtintit, duke nxjerrë 800 ha nga zona e mbrojtur dhe do të ndërtohet resorti i kushërinjve të Gjiknurit.”– u shpreh Shehaj.
Deputeti demokrat thotë se një pjesë e zonës së mbrojtur të Parkut Kombëtar të Butrintit, do përdoret për ndërtimin e një resorti.