Vendosni fjalën kyçe....

Gjykata e Apelit në SHBA rikthen ligjin që ‘godet’ mediat sociale që heqin postimet konservatore


Një ligj i Teksasit që ndalon kompanitë e mëdha të mediave sociale të heqin fjalimin politik u bë i pari i këtij lloji që hyri në fuqi të mërkurën, duke shtruar pyetje të ndërlikuara për platformat kryesore të internetit se si të respektojnë rregullat.

Ligji, i cili zbatohet për platformat e mediave sociale në Shtetet e Bashkuara me 50 milionë ose më shumë përdorues aktivë mujorë, u miratua vitin e kaluar nga ligjvënësit që kundërshtojnë faqet si Facebook dhe Twitter për heqjen e postimeve nga botuesit apo personalitetet konservatore.

Ligji u mundëson përdoruesve ose Prokurorit të Përgjithshëm të shtetit të padisë platformat online që heqin postimet sepse shprehin një këndvështrim të caktuar, shkruan NY Times.

Në një urdhër të shkurtër të mërkurën, Gjykata e Apelit e Shteteve të Bashkuara për Qarkun e Pestë, me qendër në Neë Orleans, anuloi një vendim të mëparshëm që ndaloi shtetin të zbatonte ligjin.

Ndërsa grupet e industrisë së teknologjisë që sfidojnë ligjin pritet të apelojnë vendimin, ai krijon pasiguri për platformat kryesore të internetit që tani mund të përballen me padi kur vendosin të heqin përmbajtjen për shkeljen e rregullave të tyre.

Vendimi i befasishëm vjen mes një debati më të gjerë në Uashington e kryeqytetet e huaja se si të ekuilibrohet shprehja e lirë me sigurinë në internet. Bashkimi Evropian muajin e kaluar arriti një marrëveshje mbi rregullat që synojnë të luftojnë dezinformimin dhe të rrisin transparencën rreth mënyrës se si funksionojnë kompanitë e mediave sociale.

Por konservatorët kanë thënë se platformat heqin shumë përmbajtje sidomos ato konservatore. Kur Twitter bllokoi Presidentin Donald J. Trump pas sulmit të 6 janarit 2021 në Kapitol, republikanët propozuan legjislacion për të rregulluar mënyrën se si kompanitë zbatojnë politikat e tyre.

“Zyra ime sapo siguroi një fitore tjetër të madhe kundër BIG TECH.” – tha Ken Paxton, Prokurori i Përgjithshëm i Teksasit dhe një republikan, në një postim në Twitter pasi ligji u rivendos.

Ligji nuk i ndalon platformat të heqin përmbajtjen kur ato njoftohen për të nga organizata që gjurmojnë shfrytëzimin seksual të fëmijëve në internet, ose kur ai ‘përmban kërcënime specifike dhune’ ndaj dikujt bazuar në racën e personit ose cilësi të tjera.

Zëdhënësit e Facebook dhe Twitter nuk pranuan të komentojnë planet e tyre.