Koreja e Veriut ka konfirmuar vdekjen e saj të parë nga Covid-19 dhe për herë të parë mediat shtetërore raportojnë se dhjetëra mijëra pacientë të tjerë po përjetojnë simptoma të etheve.
Duke iu referuar medieve shtetësore të Koresë së Veriut, BBC shkruan se gjashtë persona vdiqën pasi vuanin nga ethe, ndërsa një rezultoi pozitiv për variantin Omicron.
Sipas raportimeve rreth 187 mijë njerëz me ethe po “izolohen dhe trajtohen”.
Edhe pse ekspertët besojnë se virusi ka qenë i pranishëm në vend për disa kohë, autoritetet i njoftuan rastet e para vetëm të enjten.
Ata thanë se kishte pasur një shpërthim të variantit Omicron në kryeqytet Penian, dhe njoftuan masa bllokimi. Por nuk dhanë numra të saktë të rasteve.
Në një përditësim të premten, agjencia zyrtare e lajmeve KCNA raportoi se shpërthimi i pandemisë u shtri përtej kryeqytetit. “Një ethe, shkaku i së cilës nuk mund të identifikohej, u përhap në mënyrë shpërthyese në mbarë vendin nga fundi i prillit.”– raporton KCNA.
Sipas këtij raportimi, 350 mijë njerëz kishin shfaqur shenja të etheve, pa specifikuar se sa testime kishin rezultuar pozitivë për Covid.
Të premten, KCNA raportoi se udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong-un kishte vizituar një qendër të kujdesit shëndetësor dhe “mësoi për përhapjen mbarëkombëtare të Covid-19”.
Ai e përshkroi situatën si një “krizë të menjëhershme të shëndetit publik”.