Një vlerësim i rëndësishëm për poeten shqiptare Irma Kurti me banim në Itali, së cilës i akordohet “Ambasadore Evropiane” me këtë motivacion: “Çmimi i jepet duke marrë në konsideratë rëndësinë e veprimtarisë së saj letrare, çdo shkrim ngërthen në vetvete një poetikë të ndjerë, të veçantë që përcjell mesazhe të thella, një pastërti stili dhe një forcë që karakterizon kryeveprën e saj poetike.”
Lidhur me këtë çmim poetja, ndër të tjera, thotë: “Letërsia, arti janë ura të rëndësishme që bashkojnë popujt dhe shërbejnë për të kapërcyer kufijtë; është kënaqësi të kontribuoj sadopak në ndërtimin e njërës prej këtyre urave lidhëse”.
Krijimtaria e Irma Kurtit është shumëplanëshe. Ajo është pjesë e projektit “Poetry without Borders” (Poezia pa kufij) të Fondacionit kulturor spanjoll “Itaca” që boton çdo javë në 35 gjuhë të botës në faqen online të Shtëpisë Botuese belge Point Editions të drejtuar nga Germain Droogenbroodt si dhe në revista të ndryshme ndërkombëtare poezi të shoqëruara me një ilustrim nga poetë nga e gjithë bota. Kurti është përkthyese e poezive nga gjuha angleze në shqip dhe çdo javë një e tillë botohet në gazetën Destinacioni të gazetarit dhe botuesit Gëzim Llojdia.
Ka prezantuar në gjuhën shqipe autorë të ndryshëm italianë; ndër përkthimet e saj të fundit përmendim përmbledhjen me poezi, prozë poetike dhe aforizma “Bie një gjethe” të poetes italiane, fituese të çmimit Nobel, Grazia Deledda, botuar nën patronatin e Enciklopedisë Poetike apo poetë bashkëkohorë si Rosy Gallace, Laura Ficco etj. Veçojmë prezantimin në gjuhën shqipe edhe të veprave të autorëve lituanë Tomas Venclova, Grigory Kanovich e Dalia Grikenviçiute të botuara nga Shtëpia Botuese “Shkupi” në Maqedoni.
Irma Kurti pak kohë më parë u emërua Ambasadore për Shqipërinë nga Akademia e Arteve dhe Shkencave Filozofike në Bari. Ajo ka botuar njëzet e pesë libra në gjuhën shqipe, shtatëmbëdhjetë në italisht dhe gjashtë në anglisht. Librat dhe poezitë e saj janë përkthyer në gjuhën spanjolle, franceze, serbe, rumune, portugeze etj.