Paraditen e sotme një qytetar ka kërcënuar se do të vetëvritej gjatë një transmetimi të emisionit “Me Zemër të Hapur” në televizionin “News 24”.
Shtetasi me iniciale A. K., bëri deklaratën pas një konflikti me familjarët e bashkëshortes së tij.
Pas deklaratës kërcënuese, gazetarja e emisionit ka kontaktuar me efektivët e policisë. Këta të fundit e kanë gjetur qytetarin në shëtitoren e Himarës.
NJOFTIMI I POLICISË
Më datë 13.05.2022, rreth orës 11:42, në sallën operative të DVP Vlorë, ka telefonuar gazetarja e emisionit “Me zemër të hapur”, shtetasja A. A., e cila ka njoftuar se gjatë një komunikimi me shtetasin A. K., pas një konflikti me familjarët e bashkëshortes së tij, ky shtetas i ka deklaruar se do te vetëvritej.
Menjëherë pas telefonatës, shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë vlerësuan situatën dhe, në bazë të informacioneve të marra në rrugë policore, bënë të mundur lokalizimin e shtetasit A. K., në shëtitoren e Himarës.
Pas komunikimit me shërbimet e Policisë dhe me psikologun, ju bëjmë me dije se shtetasi A. K., aktualisht, ndodhet në gjendje të stabilizuar psiko-emocionale.