Vendosni fjalën kyçe....

“Sanksionet kundër Rusisë do përshpejtojnë rendin e ri botëror” – Medvedev


Sanksionet e rënda të vendosura ndaj Rusisë nga SHBA-ja e aleatët e saj për konfliktin në Ukrainë do ndryshojnë rendin e tanishëm botëror, ka pohuar ish-presidenti rus Dmitry Medvedev.

Medvedev, i cili tani është nënkryetar i Këshillit të Sigurimit të vendit të tij, u shfaq në Telegram të premten për të vënë në dukje efektet e mundshme të kufizimeve që dëmtojnë jo vetëm Rusinë, por edhe ata që i imponojnë ato dhe komunitetin ndërkombëtar në tërësi.

Një numër i ‘zinxhirëve të furnizimit global’ do shkatërrohen nga sanksionet, duke rrezikuar ‘një krizë të madhe logjistike’, shkroi zyrtari, duke shtuar se disa linja ajrore perëndimore gjithashtu mund të bllokohen për shkak të paaftësisë për të përdorur hapësirën ajrore ruse.

Krizat energjetike në shtetet që kanë vendosur sanksione ndaj naftës dhe gazit rus do përkeqësohen, ndërsa çmimet e energjisë do vazhdojnë të rriten, parashikoi ai.

“Një krizë e plotë ndërkombëtare ushqimore do të shfaqet me perspektivën e urisë në shtete të ndryshme.”

Paqëndrueshmëria e monedhave kombëtare, inflacioni galopant dhe shkatërrimi i mbrojtjes ligjore për pronën private do çojnë në emergjenca monetare dhe financiare, duke prekur vende të ndryshme ose blloqe të tëra ndërkombëtare, tha Medvedev.

“Do shpërthejnë konflikte të reja rajonale në vende ku tensionet kanë mbetur të pazgjidhura për shumë vite, ndërsa terroristët do rrisin veprimtaritë e tyre duke menduar se vëmendja e qeverive perëndimore po shpërqendrohet nga grindjet me Rusinë.” – shkroi ai.

Shumë organe ndërkombëtare, të cilat e kanë dëshmuar veten joefektive në përpjekjet e tyre për të zgjidhur konfliktin ukrainas, do prishen, tha ai, duke veçuar organizatën kryesore evropiane të të drejtave të njeriut, Këshillin e Evropës.

“Do të krijohen aleanca të reja ndërkombëtare të vendeve bazuar në parimet pragmatike dhe jo ideologjike anglo-saksone.”

“Në fund, do krijohet një arkitekturë e re sigurie që pranon ‘dobësinë e koncepteve perëndimore të marrëdhënieve ndërkombëtare’, ‘kolapsin e botës me qendër amerikane’ dhe ‘ekzistencën e interesave të respektuara ndërkombëtarisht të vendeve që po kalojnë një fazë akute të kontradiktave të tyre me Perëndimin.” – shkroi Medvedev.

SHBA, BE dhe disa të tjerë kanë vendosur disa raunde sanksionesh ekonomike të paprecedenta ndaj Moskës që kur nisi ofensivën e saj ushtarake në Ukrainë.