Vendosni fjalën kyçe....

Ushtari i parë rus del sot në gjyq për krime lufte


Një ushtar rus do të dalë sot në gjyq për vrasjen e dyshuar të një civili ukrainas të paarmatosur. Siç shkruan BBC, ky është rasti i parë i një personi të akuzuar për krime të luftës që shkon në gjykatë që nga fillimi i pushtimit rus.

Vadim Shyshimarin akuzohet se ka qëlluar në kokë një 62-vjeçar përmes një dritareje të hapur makine në fshatin verilindor Chupakhivka.

Ai rrezikon burgim të përjetshëm sipas dënimeve të përcaktuara në seksionin e kodit penal të Ukrainës që trajton ligjet dhe zakonet e luftës.

Avokati i tij, Victor Ovsyanikov, tha se çështja kundër tij është e fortë, por vendimi përfundimtar mbi atë se çfarë provash do të lejohen do të merret nga gjykata në Kiev. Ai tha se ai dhe klienti i tij ende nuk kishin vendosur se si do të deklarohej: i pafajshëm apo fajtor.

Zyra e Prokurores së Përgjithshme të Ukrainës Iryna Venediktova ka thënë se po shqyrton më shumë se 10 mijë e 700 krime të mundshme lufte që përfshijnë më shumë se 600 të dyshuar, ushtarë rusë dhe zyrtarë qeveritarë.