Çmimet e larta të ushqimeve në mbarë botën janë rezultat i ndjekjes së një strategjie hibride të luftës nga Rusia, pohoi ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock të shtunën pas një takimi të G7.
Megjithatë, Moska u kundërpërgjigj menjëherë duke fajësuar sanksionet perëndimore për krizën
“Rusia mori një vendim të ndërgjegjshëm për ta kthyer luftën kundër Ukrainës në një ‘luftë gruri’, këmbënguli ministrja gjermane. Ajo shtoi se kjo gjë po prek shumë shtete, veçanërisht ato në Afrikë.
“Ka një kërcënim të frikshëm. Ne nuk duhet të jemi naivë për këtë. Nuk është dëm i tërthortë, është një instrument krejtësisht i qëllimshëm në një luftë hibride që po zhvillohet nga Rusia.” – tha Baerbock.
Ajo tha se vendet e G7 donin të kërkonin mënyra alternative për të shpërndarë drithë nga Ukraina në botë.
Më herët gjatë javës, Departamenti Amerikan i Shtetit shkroi në Tëitter: “Ndërsa Ukraina dikur eksportonte deri në pesë milionë tonë drithë në muaj, dërgesat janë ndalur për shkak të bllokadës së Kremlinit ndaj porteve ukrainase”. Uashingtoni tha se veprime të tilla vendosin “miliona në rrezik uria”.
Ukraina tani për tani nuk është në gjendje të eksportojë rreth 90 milionë tonë produkte bujqësore, pasi Rusia ka bllokuar portet e Ukrainës, tha kryeministri i saj Denys Shmygal për mediat vendase.
Vendi prodhon një pjesë të konsiderueshme të ushqimit botëror, rreth 27% të farave të lulediellit, 5% të elbit, 3% të grurit dhe 2% të misrit.
Rusia është eksportuesi më i madh i grurit në botë. Edhe pse ka aftësinë për të eksportuar drithë, ajo përballet edhe me probleme për shkak të sanksioneve dhe kërkesave të veta.
Duke iu përgjigjur komenteve të ministres së jashtme gjermane, Moska akuzoi Perëndimin për shkaktimin e rritjes së çmimeve të ushqimeve.
“Çmimet po rriten për shkak të sanksioneve të vendosura nga Perëndimi nën presionin e Shteteve të Bashkuara. Kjo është nëse flasim për arsyen e drejtpërdrejtë. Moskuptimi i kësaj është një shenjë ose e marrëzisë ose e mashtrimit të qëllimshëm të publikut.” – shkroi zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova në kanalin e saj Telegram.