Drejtoresha e Komunikimit e Komisionit të Rithemelimit të Partisë Demokratike Floriana Garo ka dalë një konferencë shtypi nga selia blu, ku ka paralajmëruar për një kallëzim penal.
Sipas Garos, prej më shumë se 2 javësh Gjykata e Tiranës po mban të bllokuar vendimin e gjyqtares Blerina Muça duke mos e vënë në dispozicion të Partisë Demokratike dhe duke u bërë kështu pengesë për ta ankimuar atë.
“Jam këtu përpara jush për të denoncuar praktikat abuzive të gjykatës së Tiranës, e cila në vijim të ndërhyrjeve të paligjshme në procesin e konfirmimit të organeve drejtuese legjitime të partisë, vazhdon të bëhet palë në proces, duke favorizuar një fraksion i cili pasi mbajti peng vulën e demokratëve për muaj me radhë, tani kërkon përsëri t’i bllokojë ata nëpërmjet marifetesh proceduriale.
Konkretisht, që në datën 26 Prill, Partia Demokratike i ka kërkuar zyrtarisht Gjykatës së Tiranës që t’i komunikojë vendimin e gjyqtare Blerina Muçaj e cila pranoi ankimin e deputetit Enkelejd Alibeaj kundër vendimit të Partisë Demokratike, me qëllim që të ushtronim të drejtën tonë ligjore të ankimit.
Prej më shumë se 2 javësh, Gjykata e Tiranës nuk kthen përgjigje dhe nuk na vë në dispozicion vendimin duke u bërë pengesë për ta ankimuar këtë vendim në kundërshtim të plotë me ligjin.
Arsyeja e vetme e kësaj manovre vonese është që dosja e regjistrimit në gjykatë të Kuvendit të 11 Dhjetorit të degdiset në gjykatën e Apelit përpara se Partia Demokratike të ketë mundësinë të ankimojë vendimin e gjyqtares Muça.”- tha Garo.
Ajo paralajmëroi se nëse vendimi nuk komunikohet zyrtarisht deri të hënën pas përfundimit të orarit zyrtar, do ketë kallëzime penale.
“Partia Demokratike i bën thirrje drejtuesve të Gjykatës Tiranë, përkatësisht kryetarit Flamur Kapllani dhe Kancelarit Donald Xhelili që të mos bëhen pjesë e këtij skenari bllokimi të paligjshëm.
Nga ana tjetër, Partia Demokratike paralajmëron se në qoftë se deri në përfundim të orarit zyrtar të ditës së hënë ende nuk do t’i jetë komunikuar zyrtarisht vendimi i gjyqtares Muça, atëherë ajo do të paraqesë kallëzim penal për shpërdorim detyre për cilindo personazh të përfshirë në këtë skenar të jashtëligjshëm, pavarësisht pozicionit që mban.
Organet drejtuese legjitime të Partisë Demokratike i zgjedhin dhe përcaktojnë vetëm demokratët me votën e lirë dhe s’mund t’i diktojë askush, as me vendime gjykate e as me marifete proceduriale.”– shtoi Garo.