Ka mbaruar afati për dorëzimin e kandidaturave për Raundin e Parë të zgjedhjes së Presidentit të Ri.
Me mbarimin e afatit asnjë emër nuk është dorëzuar në Kuvend.
Ditën e hënë do zhvillohet edhe seanca e Komisionit të Ligjeve. Seanca e parë ishte fiksuar të zhvillohej më 16 maj.
Partitë Politike zhvilluan seanca negocimi ditën e premte por pa mundur të arrijnë një konsensus për emra të përveçëm.
Pavarësisht se në seancën e së hënës pasdite nuk do të ketë asnjë kandidaturë, Kuvendi është i detyruar të respektojë procedurat. Kështu, mëngjesin e së hënës, në orën 9 do të mblidhet Komisioni parlamentar i Ligjeve për të konstatuar mungesën e një kandidaturë dhe për të hartuar raportin përkatës, i cili do t’i kalojë seancës së posaçme plenare.
Kushtetuta e bën të qartë se “votimi quhet i kryer edhe kur në konkurrim nuk paraqitet asnjë kandidat”.
Pas këtij momenti, Konferenca e Kryetarëve është e detyruar të mblidhet për të vendosur datën se kur do të zhvillohet raundi i dytë u votimit për zgjedhjen e Presidentit të Republikës.