Vendosni fjalën kyçe....

Sulm me armë në një supermarket në Nju Jork, dhjetë të vdekur


Një 18-vjeçar ka qëlluar për vdekje 10 persona në një lagje të Nju Jorkut të banuar kryesisht nga njerëz me ngjyrë dhe autoritetet e quajnë atë një sulm me motive racore.

I riu i quajtur Payton Gendron u arrestua pas një përplasjeje me armë në vendin e ngjarjes – një supermarket në qytetin e Buffalo-s.

Ai filloi të qëllonte në parkingun e supermarketit përpara se të hynte brenda dhe të vazhdonte të qëllonte duke e transmetuar live sulmin në internet.      

Presidenti i SHBA-ve Joe Biden e përshkroi si një akt “të neveritshëm“, citon BBC.

“Ne po hetojmë këtë incident si një krim urrejtjeje dhe një rast të ekstremizmit të dhunshëm me motive racore.”- tha Stephen Belongia, nga zyra e FBI-së në Buffalo.

Mediet kanë raportuar se sulmuesi bërtiti me sharje racore gjatë të shtënave dhe po ashtu thuhet se kishte një mbishkrim racist të shkruar në armën e tij. Ai gjithashtu kishte postuar një manifest në internet që përfshinte gjuhë dhe ide raciste.

I dyshuari besohet se ka udhëtuar me makinë për rreth 200 milje për të arritur në zonën të banuar kryesisht nga persona me ngjyrë të qytetit. Gjithsej 13 persona u qëlluan dhe shumica e viktimave ishin me ngjyrë.

“Ai doli nga automjeti i tij. Ishte i armatosur shumë rëndë. Ai kishte pajisje taktike. Ai kishte një helmetë taktike. Ai kishte një kamerë që po transmetonte drejtpërdrejt atë që po bënte.”– u tha gazetarëve komisioneri i policisë së Buffalo, Joseph Gramaglia.