Vendosni fjalën kyçe....

Alibeaj shigjeton Berishën: Mbetjet e diktaturës komuniste shkaktuan ngërçe të PD-së me SHBA-në


Kreu i grupit parlamentar të PD-së Alibeaj nuk ka ngurruar të sulmojë ish-kryeministrin Berisha gjatë veprimtarisë së organizuar nga ambasada amerikane në Tiranë mbi 100 vjetorin e marrëdhënieve mes SHBA-së e Shqipërisë.

Gjatë fjalës së tij, Alibeaj tha se në marrëdhëniet mes PD-së e SHBA-së ka pasur edhe ngërçe të shkaktuara nga mbetjet e mentalitetit të diktaturës komuniste e pushtetarët e korruptuar, të cilët kanë vënë interesin e tyre mbi atë të shqiptarëve.

“Luajaliteti dhe mirënjohja kërkojnë edhe sinqeritet. Të jem i sinqertë, në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA ka patur edhe periudha jo të shëndetshme. Ka patur edhe ngërçe. Shkak për këto ngërçe kanë qenë kryesisht paaftësia jonë për të kuptuar, ndonjëhere edhe refuzimi për të pranuar, e pastaj për të vënë në jetë në politikën shqiptare, vlerat mbi të cilat funksionon shteti i së drejtes, demokracia dhe fuqia e votës në vendin mik, në SHBA. Mbetjet e mentalitetit të diktaturës komuniste, pushtetarët e korruptuar, ata që kanë vënë interesin e tyre mbi atë të shqiptarëve kanë qenë dhe mbeten kërcënimi më i madh ndaj partneritetit tonë me ShBA. Edhe sot ka ende të tillë. Ka njerëz që kanë humbur busullën e që duan t’i tregojnë rrugën Amerikës. Kanë humbur rrugën në oborr dhe duan t’ia humbin rrugën edhe Shqipërisë. Nuk do t’ia dalin. Nuk do t’ia dalin sepse kanë kundër shumicën dërrmuese të shqiptarëve dhe historinë e tyre mbi 100 vjecare.” – tha Alibeaj