Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla, në një debat në emisionin “Open” ftoi opozitën të dorëzojë propozime dhe emra konkretë për Presidentin e ri.
Balla tha se nëse PD-ja sjell një listë emrash dhe njëri prej tyre plotëson kriteret e socialistëve ata mund të bien dakord.
“Në Kuvendin e Shqipërisë ka 4 grupe parlamentare, të cilat duhet të ulen dhe të dialogojnë. Për këtë kemi rënë dakord të gjithë. Me zonjën Doda, Idrizi dhe Avdullai nga njëri grup parlamentar, kemi biseduar, kemi biseduar dhe me zotin Mediu dhe Duka, ku kemi rënë dakord që të gjithë palët kanë të drejtë të propozojmë.
Ditën e premte u kemi thënë bujrum sillni propozimet me emra. Nëse PD vjen nesër me një listë emrash dhe njëri prej tyre plotëson kriteret tona se si duam ne të jetë presidenti, ne mund të biem dakord. Si mund të biem dakord pa e dëgjuar, s’kemi dëgjuar asgjë”-deklaroi Balla.
Balla shtoi më tej se opozita deri tani i ka vënë kushte shumicës për të zgjedhur Presidentin.
Ai theksoi se Partisë Socialiste nuk ia heq askush të drejtën për të propozuar emra për Presidentit.
“Kemi marrë një cop letër që i vë kusht shumicës që ka numrat të zgjedhë presidentin që ti s’ke të drejtë të zgjedhësh presidentin, që s’ke të drejtë as të propozosh madje.
Të drejtën propozuar Partisë Socialiste nuk ja heq dot askush. Kjo nuk ka ekzistuar asnjëherë. Madje në 2007-ën, kur është bërë negociatë i është lënë e drejtë për tu propozuar edhe opozitës dhe maxhorancës. Të paktën ta dëgjojmë njëri tjetrin për emrat”, tha Balla.