Vendosni fjalën kyçe....

Frikë për më shumë se një milion raste me Covid në Korenë e Veriut


Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, ka kritikuar zyrtarët shëndetësorë dhe ka urdhëruar ushtrinë të ndihmojë në shpërndarjen e ilaçeve, pasi vendi është përfshirë për herë të parë nga një valë rastesh me Covid.

Më shumë se një milion njerëz janë sëmurë nga ajo që Pheniani po e quan “ethe“, thanë mediet shtetërore.

Rreth 50 persona kanë vdekur, por është e paqartë se sa prej atyre rasteve të dyshuara rezultuan pozitivë për Covid.

BBC shkruan se Koreja e Veriut ka kapacitet të kufizuar testimi, kështu që pak raste janë konfirmuar. Koreja e Veriut ka të ngjarë të jetë veçanërisht e ndjeshme ndaj virusit për shkak të mungesës së vaksinimeve dhe një sistemi të dobët të kujdesit shëndetësor. Një bllokim mbarëkombëtar është vendosur në vendin e izoluar.

Media shtetërore tha se Kim drejtoi një takim urgjent të Byrosë Politike në fundjavë, ku ai akuzoi zyrtarët për prishje të shpërndarjes së rezervave kombëtare të mjekësisë.

Ai urdhëroi që “forcat e fuqishme” të trupit mjekësor të ushtrisë të ndërhyjnë për të “stabilizuar menjëherë furnizimin me ilaçe në qytetin e Penianit”.

Vendi njoftoi rastet e para të konfirmuara me Covid vetëm javën e kaluar – megjithëse ekspertët besojnë se virusi ka të ngjarë të ketë qarkulluar për ca kohë.