Kina i është përgjigjur kërkesës së G7 që Pekini të ndërpresë mbështetjen për Rusinë pas sanksioneve të gjera perëndimore.
Pekini thotë se e vendos vetë pozicionin dhe politikën e tij bazuar në “meritat e vetë çështjes” dhe se shtatë vendet anëtare duhet të përqendrohen tek çështjet e veta në vend që të ndërhyjnë në punët e brendshme të vendeve të tjera.
Deklarata erdhi pasi ministrat e jashtëm nga G7 (ku përfshihen SHBA, Gjermania, Italia, Kanadaja, Britania e Madhe, Franca dhe Japonia) publikuan një deklaratë të shtunën duke i bërë thirrje Pekinit që t’i kërkojë Rusisë të ndalojë luftën në Ukrainë dhe të përmbahet nga dhënia e ndihmës ekonomike dhe ushtarake për Kremlinin. Grupi gjithashtu këmbënguli që Kina “të mbështesë sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës” dhe “t’i kërkojë Rusisë të ndalojë agresionin e saj ushtarak kundër Ukrainës”.
Deklarata e gjatë vazhdoi duke paralajmëruar Pekinin “të mos e ndihmojë Rusinë në luftën e saj të agresionit kundër Ukrainës”, “të mos minojë sanksionet e vendosura ndaj Rusisë” dhe të mos justifikojë veprimet e Rusisë në Ukrainë përmes përdorimit të “manipulimit të informacionit dhe dezinformimit.”
Gjatë një konference për shtyp të hënën, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Zhao Lijian reagoi lidhur me këto kërkesa dhe u kërkoi vendeve të G7 të ndalonin vendosjen e sanksioneve dhe provokimin e vendeve të tjera dhe në vend të kësaj të fokusohen në çështje të tjera të rëndësishme globale dhe të brendshme.
“Ne u bëjmë thirrje vendeve të G7 që me të vërtetë të fokusohen në paqen dhe zhvillimin në të gjithë botën, të ndalojnë aplikimin e standardeve të dyfishta apo edhe të shumëfishta, të ndalojnë dërgimin e avionëve dhe anijeve ushtarake në kufijtë e vendeve të tjera me ose pa arsye për të demonstruar forcën e tyre.” – u tha gazetarëve Zhao sipas RT.
Zhao gjithashtu këmbënguli që shtatë kombet “të ndalojnë së shkuari në vende të tjera për të organizuar “revolucione me ngjyra” në çdo rast (duke iu referuar nismave LGBT) dhe të ndalojnë vendosjen e sanksioneve ndaj vendeve sovrane.
“Ne u bëjmë thirrje anëtarëve të G7 që të menaxhojnë punët e vendit të tyre, të zgjidhin vetë çështjet e të drejtave të njeriut dhe të bëjnë diçka serioze për të rivendosur paqen në Evropë, në vend që të njollosin vendet e tjera, të ndërhyjnë në punët e brendshme të vendeve të tjera dhe të shkaktojnë telashe kudo.”-përfundoi zëdhënësi i ambasadës.