Vendosni fjalën kyçe....

KPK e konfirmoi në detyrë, ONM rekomandon shkarkimin e Kastriot Gramshit


Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM) ka rekomanduar shkarkimin e gjyqtarit të Tiranës Kastriot Gramshi, pavarësisht konfirmimit të tij në detyrë nga KPK më 25 mars.

Rekomandimi i ONM-së i ka shkuar Komisionerit Publik, i cili ka të drejtë të ankimojë vendimin e shkallës së parë.

Kujtojmë se Kastriot Gramshi u konfirmua në detyrë më 25 Mars. Asokohe Hashtag.al zbuloi përmes disa shkrimeve se si gjyqtari i mashtroi anëtarët e Komisionit të Vettingut, ndërsa jepte shpjegime për një ndërtim shtesë pa leje që kishte dyfishuar hapësirën e shtëpisë së tij si dhe vendimin ku Gjyqtari jepte dënim për një qytetar që kishte ndërtuar pa leje ndërsa po ai vetë kishte ndërtuar pa leje (Lexo këtu).

Lidhur me rekomandimin e ONM-së, Komisioneri Publik thotë se po e shqyrton në të njëjtën kohë me vendimin e KPK-së.

Njoftimi i Komisionerit Publik 

Në datën 25.3.2022, në përfundim të seancës dëgjimore përkatëse, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, z. Kastriot Gramshi, me detyrë gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Vendimi nr. 519, datë 25.3.2022, i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, iu njoftua Komisionerëve Publikë më datë 9.5.2022.

Sot, më datë 16.5.2022, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM) u ka paraqitur Komisionerëve Publikë rekomandimin për të ankimuar vendimin në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

Komisionerët Publikë janë duke shqyrtuar, në të njëjtën kohë, vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe rekomandimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.

Bazuar në pikën 1, të nenit 63, të ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, Komisionerët Publikë, brenda 15 ditëve nga data e njoftimit të vendimit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, kanë të drejtë të paraqesin ankim pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.

Rekomandimi i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit është publikuar në faqen zyrtare të Institucionit të Komisionerëve Publikë: http://ikp.al/rekomandime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.