Vendosni fjalën kyçe....

Austria zotohet të qëndrojë vend asnjanës


Austria nuk është anëtare e NATO-s dhe nuk ka plane të bëhet në të ardhmen e afërt, u tha gazetarëve në Bruksel ministri i Jashtëm i vendit, Alexander Schallenberg të hënën.

Kur u pyet për qëndrimin e tij ndaj dëshirës së Suedisë e Finlandës për t’u bashkuar me bllokun ushtarak, Schallenberg tha se ai ‘respekton plotësisht’ vendimet e marra nga Helsinki dhe Stokholmi, por shtoi se ‘është vendimi i tyre dhe jo i yni’.

“Austria do të vazhdojë të jetë një vend asnjanës.” – tha ai. Megjithatë, ai e përshkroi masën e ndërmarrë nga Suedia dhe Finlanda si një ‘sinjal të fortë’ për presidentin rus Vladimir Putin, duke treguar se politikat e Moskës kanë shfaqur të meta.

“Putini e bëri NATO-n më të rëndësishme dhe bëri që dy vende të anëtarësoheshin në aleancë.” – tha ministri austriak, duke shtuar se strategjia e sigurisë e presidentit rus ka çaluar.

Stokholmi dhe Helsinki njoftuan zyrtarisht ofertat e tyre për t’u bashkuar me bllokun ushtarak të dielën. Moska ka paralajmëruar vazhdimisht se do të duhet të përgjigjet nëse Finlanda dhe Suedia anëtarësohen në NATO. Rusia ka thënë se e konsideron zgjerimin e NATO-s si një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e saj.

Pas këtij zhvillimi, Putin tha se Moska ‘nuk ka probleme’ me anëtarësimin e asnjërit prej dy vendeve në NATO, por e konsideron përparimin e infrastrukturës ushtarake të aleancës një kërcënim.

Ndërkohë, Schallenberg i bëri thirrje BE-së që të qëndrojë e bashkuar kur bëhet fjalë për sanksionet anti-ruse dhe t’ia ‘bëjë të qartë’ Moskës se kostot e sulmit të saj ndaj Ukrainës mbeten të larta.

Kryediplomati i Austrisë i kërkoi gjithashtu Brukselit të kundërshtojë ndikimin e Rusisë në Ballkan, ndërsa paralajmëroi për aftësinë e Moskës për të destabilizuar rajonin.