Vendosni fjalën kyçe....

Meta për padinë ndaj medias austriake: Në Vjenë ka garë mes avokatëve për të më përfaqësuar mua


Presidenti Ilir Meta në konferencën e sotme për mediet u është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve lidhur me një shkrim të botuar në median austriake “Kronen Zeitung që e akuzon atë për lobim përmes një kompanie offshore qiprote për t’u fotografuar me ish-presidentin amerikan Donald Trump.

Meta tha se e ka paditur gazetën austriake dhe se në Vjenë ka një “garë” mes avokatëve për ta përfaqësuar atë.

“Ç’koment të kem unë për këto trillime të Rilindjes kombëtare dhe ndërkombëtare. E kam parë atë shkrimin pa emër për presidentin e një vendi, nuk ka rëndësi cili është ai. Është ripërtypje në publik e disa shpifjeje dhe mashtrimeve të bëra më parë nga Mother Jones.

Përsa i përket pjesës së LSI-së keni deklaratë nga z.Sulce më 25 Prill 2018, përgjigjet janë shumë të sakta dhe shteruese. Për sa më takon mua, ja ku e keni që më 3 Maj 2018 një gazetar i Fax News, Bledian Koka më ka pyetur për këtë çështje dhe përgjigja është shumë e qartë se është mashtrim, sepse unë kam marrë pjesë si kryetar Parlamenti me ftesë të Komitetit organizator të ceremonisë dhe gjithçka është e verifikueshme dhe e konfirmojnë kamerat se nuk ka lidhje me atë që thotë gazeta, që unë paskam paguar 700 mijë dollarë për një foto me Trump-in, nëse ju duket Petriti si Trumpi nuk e di?!…

Është shumë e verifikueshme, nuk ka ceremoni më të sigurtë se ajo e betimit të presidentit të SHBA ku marrin pjesë personalitete nga e gjithë bota. Është e verifikueshme, do jetë edhe në gjyq kur të bëhet gjyqi në Vjenë për këtë shkrimin pa emër. Nuk ka gjë që nuk verifikohet.

Këtu ku jam unë është zoti Vasili, senatorë/kongresmenë dhe një zyrtar i Komitetit organizator. E gjitha është vetëm një mashtrim. Në pyetjen drejtuar ish-zëdhënësit të LSI-së, e keni të saktë. Është konfirmuar në institucionet amerikane të drejtësisë. Një dramë e madhe, sepse duan t’i bëjnë të gjithë njësoj. Pse duhet të bëja foto me një president kur nuk ishte akoma as president, dhe për ta shqetësuar në ditën më të rëndësishme të jetës së tij. Edhe gruaja e Bilalit bëri foto por nuk fitoi zgjedhje. Edhe tjetri bëri foto por humbi më shumë.

Kam bërë boll foto unë, me George Bushin e të tjerë personalitete që të merr malli të shikosh personalitete si të asaj kohe dhe e kam nxjerrë mallin për foto dhe s’kam pse harxhoj asnjë cent për asnjë foto.

Në mënyrë të padiskutueshme e kemi paditur, kemi njoftuar edhe ambasadorin austriak këtu si dhe ambasadorin tonë atje për ta informuar për korrektësi. Nuk do e padisja nëse do ishte këtu sepse shpifje të tilla i dëgjoni çdo ditë në televizione e gazeta, të nxjerr listën e inceneratorëve si i paguajnë mediat? Vetëm të përsërisin këto gjëra. Vetëm për këtë punë paguhen këta.

Ata do shkojnë në gjyq dhe ka garë të madhe mes avokatëve në Vjenë për të më përfaqësuar në gjyq dhe do keni mundësi të shkruani. Kanë mashtruar jo vetëm gazetën por dhe atë pjesë të opionit publik atje që e ka lexuar.”- u përgjigj Meta.

Kreu i shtetit tha se thirrjet e Ramës ndaj SPAK-ut për të hetuar ish-kryeministrin Sali Berisha dhe atë janë në fakt thirrje për të mos hetuar Mirel Mërtirin, Klodian Zoton, Stela Gugalljan dhe gjithë qeverinë.

Sipas presidentit dy prej pronarëve të inceneratorëve, që janë shpallur në kërkim në Shqipëri, me shumë gjasa ndodhen pikërisht në Vjenë.

“Më thonë dikush se; nuk mban ekuilibrin. Por kur të gjithë janë një palët dhe kjo palë është në funksion të 5-6 oligarkëve, për të mbajtur në presion dhe terror. E dëgjuat dje; kush ka makinë të shtrenjtë, të deklarojë pagën. Çfarë është ky presion dhe terror që iu bëhet qytetarëve? Kush të ka penguar që të bësh hetim?! Si shpjegohet se pronarët e 3 iniciatorëve, po bëjnë namin në kontinentet të tjera dhe s’janë kapur dhe thuhet se dy prej tyre janë në Vjenë. Shpjegohet se ata nuk janë pronarët e vërtetë, por s’kanë vënë emrat. Dihet kush është pronari dhe pse i është futur tartakuti.”- tha Meta.

Meta foli dhe për atë që do bëjë pas përfundimit të mandatit të tij si president më 24 Korrik, duke nënkuptuar se do i kthehet aktivisht politikës. Ai u shpreh se shqiptarët kanë nevojë për një lidership që e mban fjalën.