Vendosni fjalën kyçe....

Orban akuzon BE-në: Duan të na detyrojnë ‘çmendurinë gjinore e Europën liberale, do rezistojmë


Kryeministri i Hungarisë Viktor Orban në një fjalim para ligjvënësve ka akuzuar Brukselin për abuzim me pushtetin dhe gjithashtu është zotuar t’i rezistojë agjendës së BE-së për ‘çmenduri gjinore dhe një Evropë liberale’.

Të hënën, Orban bëri betimin e tij në detyrë pasi u zgjodh në prill për një mandat të katërt radhazi. Në mënyrën e tij të zakonshme, kryeministri nuk kurseu deklaratat e ashpra kur iu drejtua parlamentit.

“Brukseli po abuzon çdo ditë me pushtetin e tij dhe dëshiron të na detyrojë të bëjmë gjëra që nuk i duam.” – tha kryeministri.

Sipas mendimit të Orban, udhëheqja e BE-së po kërkon të zvogëlojë sovranitetin e shteteve anëtare dhe të ndërtojë ‘Shtetet e Bashkuara të Evropës’.

“Tjetërsimi kulturor po rritet midis Evropës Perëndimore dhe Lindore.” – pohoi Orban.

Megjithatë, ai argumentoi se është në interesin e Hungarisë të qëndrojë në Bashkimin Evropian, për sa kohë që mund të mbetet ‘një vend i pavarur dhe i lirë’.

Duke parashikuar se dhjetëvjeçari i tanishëm do ishte një ‘epokë rreziku’, plot pasiguri, me luftëra, epidemi dhe rritje të emigracionit, Orban u zotua t’i rezistojë çdo përpjekjeje të Perëndimit për të përfshirë Hungarinë në ato që ai i quajti ‘valë vetëvrasëse’.

“Pamja e dekadës së luftës përpara nesh përfshin gjithashtu valët vetëvrasëse të botës perëndimore.” – tha Orban. Si shembuj të këtyre ‘valëve vetëvrasëse’ ai përmendi plotësimin e numrit të pamjaftueshëm të foshnjave të krishtera përmes fluksit të emigrantëve, si dhe axhendën e çmendurisë gjinore dhe një Evropë liberale’.

“Në këtë situatë, rruga për Hungarinë duhet të vendoset e qartë.” – tha kryeministri, përpara se të shprehte sigurinë se bashkatdhetarët e tij do jenë në gjendje t’i rezistojnë sulmeve ndaj identitetit dhe traditave të tyre kombëtare, pasi këto janë ‘të gdhendura nga druri i fortë’.

Duke komentuar paketën e gjashtë të sanksioneve që BE po përgatit tani si përgjigje ndaj sulmit ushtarak të Rusisë në Ukrainë dhe që përfshin një ndalim të përshkallëzuar të hidrokarbureve ruse, Orban siguroi parlamentin se vendi i tij nuk do e pengonte vendosjen e kufizimeve të reja kundër Moskës përderisa këto nuk kërcënojnë sigurinë energjetike të Hungarisë.

Duke theksuar se Budapesti duhet të mbajë një politikë të pavarur brenda Bashkimit Evropian, Orban argumentoi se e njëjta gjë vlen edhe për anëtarësimin në NATO.

“NATO është një mbështetës i vendosur, por nuk do e mbrojë Hungarinë për ne. Detyra më urgjente është të forcojmë ushtrinë hungareze dhe ta bëjmë atë një ushtri të vërtetë.” – theksoi kryeministri.