Më 23 maj në orën 18:00 pritet të zhvillohet raundi i dytë për zgjedhjen e presidentit pas dështimit të raundit të parë.
Në mbledhjen e sotme kreu i grupit parlamentar socialist tha se askush nuk mund t’ia heqë shumicës të drejtën për të propozuar emra.
“Të drejtën grupit të PS-së për të propozuar emra nuk ja heq askush. Kam një muaj dhe më shumë që ju bëj thirrje publike që të vini dhe të ulemi. Me grupin që drejton Mediu jemi ulur dy herë. Tani do të diskutosh për emra. Nëse ne nuk propozojmë emra dhe ju nuk propozoni emra. Kur ulemi në tryezë ju thoni unë nuk jap emra se ju do të talleni me emrin tonë. Ne kemi vendosur vetëm një kusht, të jetë diamtralikisht i kundërt me Ilir Metan. Këtë duam! Ju nuk mund t’i heqni të drejtën mazhorancës që të propozojë emra.” – tha Balla.
Deputetja e PD-së, Duma nga ana e saj ka thënë se kandidati duhet t’i përkasë opozitës dhe se ai duhet votuar në raundin e dytë. Po kështu demokratja tha se PS-ja duhet ta harrojë që të tallet me opozitën në këtë proces.
“Nuk iu ka përjashtuar njeri nga procesi se në fund ju e zgjidhni vetë. Por keni pasur propozimin: jepjani kandidatin opozitës, shkoni votojeni dhe hidheni poshtë. Por që ne të jemi fasada këtu që me kriteret tona ju të nxirrni Presidentin dhe ta votoni dhe të talleni, këtë ta harroni. Unë jam me logjikën të mos e shpejtojmë. Të enjten bëni seancën, të vijmë me një emër nga opozita dhe bëjeni edhe kundër po të doni. Kandidati i qëndron opozitës, votoni standardin e kandidatit tonë. Në rast se nuk e votoni, votat pastaj i keni në xhepet dhe e votoni.” – tha Duma.
Dumës iu përgjigj aty për aty ministrja për Parlamentin, Spiropali, e cila i kërkoi opozitës që të vinte me një zë në këtë proces duke i bërë thirrje që të bëjë propozimin e saj për emrin e kreut të ri të shtetit.
“Alibeaj thotë diçka, pastaj Duma thotë diçka tjetër. Pastaj është ajo që thotë Mediu që kishte kuptim dhe ishte e arsyeshme. Kur vini përballë nesh duhet të bini dakord se çfarë doni prej nesh. Alibeaj tha se është e rëndësishme se si hyn në këtë process, por më e rëndësishme është se si del nga ky process. Ju ende nuk keni hyrë në process, keni çuar vetëm letra. Ju nuk e keni detyrim ndaj nesh ardhjen në konferencë kryetarësh. E keni detyrim ndaj atyre që iu kanë votuar. Meqë po flasim për procese dhe vullnete, letrat nuk i zëvendësojnë proceset. Duma tha të sjellim emrin të enjten. Bujrum, silleni emrin por bini dakord për datat kur do t’i sillni.” – tha Spiropali.