Këtë të martë në Gjykatën e Apelit hidhet shorti për të caktuar gjyqtarin që do shqyrtojë kërkesën e Komisionit të Rithemelimit, për të mos pranuar ankimimin e bërë nga kreu i grupit parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj.
Gjykata e Apelit thotë në një njoftim për mediet se “shorti për caktimin e gjyqtarit relator do të hidhet sot në orën 15:30, në një proces të hapur në sallën nr. 2 të gjykimeve” (Kliko këtu për njoftimin e plotë).
Në një tjetër deklaratë të publikuar pak pasa se kjo seancë të nisë, Gjykata e Apelit bën thirrje që të ndalen sulmet politike ndaj organeve të drejtësisë.
“Referuar deklaratave tashmë të bëra publike, që shkojnë përtej debatit të brendshëm partiak, apo edhe opinioneve të shfaqura lidhur me këto zhvillime, Gjykata e Apelit Tiranë, e përgjegjshme për funksionin që i është ngarkuar, konsideron të papranueshëm çdo reagim dhe deklarim paragjykues, sulmues apo denigrues që synon të ushtrojë ndikim në marrjen e një vendimi të caktuar mbi këto çështje.
Për një shtet të së drejtës, sulme të tilla ndaj gjyqtarëve dhe gjykatave, të cilat perceptohen si ndërhyrje e drejtpërdrejtë në veprimtarinë gjyqësore përpara marrjes së vendimeve prej tyre, janë të papranueshme ligjërisht dhe kushtetutshmërisht. Gjykata është dhe do të mbetet autoriteti i vetëm, që ka pushtetin dhe përgjegjësinë në dhënien e drejtësisë, ndaj si e tillë duhet respektuar.”– thuhet në deklaratë.
Përmes kësaj deklarate, Gjykata e Apelit Tiranë garanton cilindo se do të shqyrtojë me përgjegjshmëri, objektivitet, drejtësi dhe transparencë çështjet që i janë referuar për shqyrtim, duke mirëpritur çdo vërejtje konstruktive lidhur me veprimtarinë gjyqësore, por duke mos pranuar asnjë sulm denigrues ndaj saj, që lidhet drejtpërdrejtë me ushtrimin e funksionit dhe të misionit për të cilin është ngarkuar nga Kushtetuta.