Vendosni fjalën kyçe....

Deputeti konservator britanik arrestohet mes akuzave për përdhunim


Një politikan britanik është arrestuar dhe akuzuar për shkelje të shumta seksuale. Policia arrestoi ligjvënësin e Partisë Konservatore të martën pas një hetimi dy-vjeçar, raportoi gazeta ‘The Sun’ pa identifikuar të dyshuarin.

Gjithçka që dihet në këtë pikë është se i dyshuari është një deputet në detyrë i Parlamentit, i cili dyshohet se ka kryer shkelje të shumta në Londër midis viteve 2002-2009.

Akuzat përfshijnë ‘ngacmim të pahijshëm, sulm seksual, përdhunim, abuzim të pozitës së besimit dhe sjellje të pahijshme në një zyrë publike’, sipas një deklarate të Policisë Metropolitane.

Përdhunuesit të dyshuar i është kërkuar që të mos marrë pjesë në Parlament derisa hetimi është në vazhdim, megjithatë, ai nuk do përjashtohet nga Partia Konservatore.

Shumë deputetë nga partia në pushtet e Mbretërisë së Bashkuar janë përballur së fundmi me akuza për sjellje të pahijshme seksuale. Muajin e kaluar, konservatorët pezulluan deputetin David Warburton pas zbulimeve për sjellje të pahijshme seksuale dhe abuzim me kokainë, të cilat ai i mohoi.

Ndërkohë, deputeti konservator, Imran Ahmad Khan, dha dorëheqjen nga Parlamenti, pasi u dënua me akuzat për sulm seksual ndaj një djali 15-vjeçar në 2008.