Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj kritikëve të nismës Ballkani i Hapur duke shkruar se është një nismë që përshpejton Procesin e Berlinit
Rama thekson se kushdo ka të drejtë të jetë kundër Ballkanit të Hapur dhe të mos shohë dhe as dëgjojë që nisma nxit paqen e bashkëpunimin.
“Kushdo është kundër Ballkanit të Hapur është në të drejtën e vet që as mos të shohë, as mos të dëgjojë dhe as mos të kuptojë se kjo nisëm nxit paqen, bashkëpunimin, integrimin dhe e përshpejton Procesin e Berlinit! Ballkani i Hapur nuk do të ndalet sepse e ardhmja nuk ndalet dot”—shkruan Rama.
Deklarata e tij vjen pas ditën në Kosovë pati një takim mes Presidentes Vjosa Osmani dhe homologut të Malit të Zi, Milo Gjukanovic.
Deklarimet e sotme kundër Ballkanit të Hapur
Gjukanovic e cilësoi nismën si të rrjedhur në një moment depresioni dhe kur besohej se ishte i pamundur integrimi në BE.
Presidenti i Malit të Zi mbështeti Procesin e Berlinit si iniciativë që është komplomentare me rrugën drejt BE-së.
“Kemi një iniciativë të mirë të Procesit të Berlinit dhe kjo iniciativë është plotësisht kompelentare me rrugën tonë drejt BE-së, sepse nënkupton standarde europiane të bashkëpunimit. “Open Balkan” ka rrjedhur në një moment depresioni që i kishte kapluar vendet e rajonit dhe në atë moment kanë menduar se është i pamundur integrimi europian dhe se ndoshta me shkuarjen e kancelares Merkel integrimi për BP është duke u shuar, kjo s’është e saktë. Kjo gjë që po ndodh ka krijuar një moment të mirë për integrimin e mëtejshëm të Ballkanit Perëndimor”-tha Gjukanoviç nga Prishtina.
Këtë deklaratë e mbështeti edhe Presidenti Ilir Meta i cili disa orë më vonë shkroi:“I përkrah plotësisht qëndrimet e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe Presidentit të Malit të Zi, Milo Gjukanoviç për ta çuar përpara bashkëpunimin gjithëpërfshirës rajonal, i vendosur më së miri në shtratin europian të Procesit të Berlinit.
Në këtë periudhë plot sfida për sigurinë dhe paqen në Europë duhet të qëndrojmë me vendosmëri besnikë të projektit strategjik të integrimit europian, duke refuzuar çdo shteg që del jashtë kësaj rruge.
Procesi i Berlinit siguron bashkëpunimin e hapur rajonal drejt BE, duke mbetur të pandikuar ndaj projekteve që duan ta minojnë apo rivalizojnë këtë perspektivë.
Sa më shumë Europë mes nesh, aq më shumë siguri, paqe dhe begati do të sjellë e ardhmja!”.
Deri më tani nismës Ballkani i Hapur i janë bashkuar vetëm Shqipëria, Serbia e Maqedonia e Veriut. SHBA-të e kanë përshëndetur këtë nismë ndërsa Gjermania nuk është shprehur kategorisht kundër po i ka vënë theksin më së shumti Procesit të Berlinit pasi e sheh më gjithëpërfshirës./ Hashtag.al