Vendosni fjalën kyçe....

Gjysma e ndjekësve të Joe Bidenit në “Twitter” janë “Fake” (Analiza)


Nga 22.3 milionë ndjekës që ka presidenti amerikan Joe Biden në “Twitter”, pothuajse gjysma e tyre janë false. Të paktën kështu raportoi Newsweek të martën, duke iu referuar një analize të kryer nga SparkToro.

Analistët e SparkToro, i cili operon për identifikimin e llogarive “të rreme” në Twitter nga ndjekësit e vërtetë, vëzhguan llogarinë zyrtare të presidentit Biden duke zbuluar se 49.3% e ndjekësve ishin joautentikë. Procesi i shqyrtimit përfshin disa faktorë, nga të dhënat e aktivitetit te fotografitë e profilit, për të bërë një gjykim nëse ka një person real pas çdo llogarie. Kompania tha se përqindja e llogarive false që ndjekin Bidenin është më e lartë se për shumicën e llogarive.

Kujtojmë se javën e kaluar, miliarderi Elon Musk la në pritje përkohësisht blerjen e Twitter-it, duke pretenduar se kompania kishte gabuar kur deklaroi se më pak se 5% e llogarive ishin “spam/fake”. Ai pretendoi se përqindja aktuale ishte më e lartë dhe se çmimi i blerjes që ai ofroi për aksionerët ishte i bazuar në vlerësimin e kompanisë.

Musk u fut në diskutime me CEO-n e kompanisë, Parag Agrawal. Ky i fundit reklamoi efikasitetin e Twitter-it në heqjen e llogarive joautentike nga platforma. Ai tha se Twitter pezullon 500 mijë llogari të rreme në ditë “zakonisht para se ndonjëri prej jush t’i shohë ato” dhe bllokon miliona çdo javë me dyshimin për dërgimin e spam-it.

Por SparkToro tha se vlerësimi i Musk është i saktë.