Përfaqësuesit e opozitës në tryezën e bisedimeve kanë kërkuar sot që emri i kandidatit për president t’i takojë opozitës.
Në fjalën e tij kreu i grupit parlamentar të PD-së Alibeaj tha se presidenti duhet zgjedhur në tre raundet e para.
Po kështu ai theksoi se shumica nuk e ka legjitimitetin e duhur për të zgjedhur kreun e ri të shtetit duke iu referuar parregullsive në zgjedhjet e 25 prillit 2021, që sipas tij janë të faktuara botërisht.
“Bazuar në frymën e Kushtetutës pavarësisht ndryshimeve të 2008 thelbi mbetet dhe presidenti do të duhet të zgjidhet me jo më pak se 84 vota. pra ndaj është e nevojshëm që presidenti të zgjidhet në këto tre raunde dhe arsyet janë: Të bësh fotografimin sot të institucioneve të kësaj republike , të gjitha pushtet e ka marrë njëri krah, pra është një zhbalancim ekstrem i rendit institucional. Pra ka humbur sensi i ndarjes së barazisë së pushteteve. Mazhoranca sot nuk e ka legjitimitetin real, atë që buron nga zgjedhjet. Pra këto janë konsiderata jo thjesht të nxjerra nga ne, por të dokumentuara dhe të njohura botërisht. Është koha dhe është vetëm një episod nëse ka dëshirë për të ridimensionuar atë që duhet të jenë raportet që duhet të prodhojë presidentit, pra këto janë arsyet bazë. Në dokument kemi bërë të qartë vendosjen e disa kritereve.” – tha ndër të tjera Alibeaj.