Vendosni fjalën kyçe....

Rusia largohet nga OBT-ja e OBSH-ja


Dhoma e ulët e parlamentit të Rusisë, Duma e Shtetit, po planifikon të diskutojë tërheqjen e mundshme të vendit nga Organizata Botërore e Tregtisë (OBT) dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), sipas Pyotr Tolstoy, nënkryetar i parlamentit.

“Ministria e Punëve të Jashtme dërgoi një listë të marrëveshjeve të tilla në Dumën e Shtetit dhe së bashku me Këshillin e Federatës (dhoma e lartë e parlamentit) ne po planifikojmë t’i vlerësojmë ato dhe më pas të propozojmë të tërhiqemi prej tyre.” – tha Tolstoi të martën.

Ai tha se Rusia tashmë ka anuluar anëtarësimin e saj në Këshillin e Evropës dhe se largimi nga OBT dhe OBSH është hapi i radhës.

“Rusia u tërhoq nga Këshilli i Evropës, tani hapi tjetër është tërheqja nga OBT dhe OBSH, të cilat kanë lënë pas dore të gjitha detyrimet në lidhje me vendin tonë.” – tha ai.

Tolstoi shtoi se qeveria pritet të rishikojë detyrimet dhe traktatet ndërkombëtare të Rusisë që tani nuk sjellin asnjë përfitim, por dëmtojnë drejtpërdrejt vendin.

Në prill, presidenti rus Vladimir Putin tha se kufizimet e paligjshme të vendosura ndaj kompanive ruse nga shtetet perëndimore bien ndesh me rregullat e OBT-së dhe i tha qeverisë që të përditësojë strategjinë e Rusisë në organizatë deri më 1 qershor.