Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen propozoi të mërkurën një paketë ndihme prej 9 miliardë eurosh për të mbajtur qeverinë e Ukrainës në funksion dhe shtoi se BE-ja do të udhëheqë përpjekjet e rindërtimit në Ukrainë pas ndërprerjes së luftës. Njoftimi i saj erdhi një ditë pasi SHBA i bëri thirrje Evropës që të hapte arkat e saj për Kievin.
Paratë për paketën e ndihmës do të huazohen nga Komisioni në tregjet financiare globale dhe do të kthehen nga Kievi. Sipas rregullave të BE-së për ndihmën makro-financiare, qeveria ukrainase do të ishte e lirë t’i përdorte paratë sipas dëshirës.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka pohuar se Ukrainës i duhen rreth 7 miliardë dollarë në muaj për të paguar ushtarët, civilët dhe pensionistët e saj dhe për të mbajtur shërbimet thelbësore në funksion. Prandaj, paketa e propozuar e BE-së do mbajë funksionimin e Ukrainës për pak më shumë se një muaj.
Disa orë përpara njoftimit të von der Leyen, Sekretarja e Thesarit e SHBA-së, Janet Yellen tha në Forumin Ekonomik të Brukselit se ‘mbështetja dypalëshe dhe shumëpalëshe e shpallur deri më tani nuk do të jetë e mjaftueshme për të adresuar nevojat e Ukrainës, edhe në planin afat të shkurtër’.
Ndërsa paketa e ndihmës e von der Leyen është në përputhje me atë që kërkoi Yellen, ajo ende duhet të miratohet nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli Evropian.
Megjithatë, asnjë nga paketat e ndihmës së Komisionit për Ukrainën deri më tani, të cilat përfshijnë katër pako të njëpasnjëshme 500 milionë eurosh të ndihmës ushtarake dhe 1.2 miliardë euro, nuk janë përballur me ndonjë kundërshti.