Vendosni fjalën kyçe....

Makina bie 100 metra në greminë në Rrugën e Kombit, humb jetën i riu, plagoset pasagjeri (Video)


Një tjetër aksident i rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në vend.

Një i ri ka humbur jetën ndërsa bashkëudhëtari i tij ka mbetur i plagosur rëndë pasi mjeti me të cilin udhëtonin doli nga rruga pranë fshatit Kolsh në Kukës e ra 100 metra në greminë, shkruan Shqiptarja.

Dy të rinjtë nga Tropoja po udhëtonin nga Tirana drejt Kukësit ndërsa dyshohet se shkak i aksidentit mund të jetë bërë pakujdesia e drejtuesit të mjetit.

Duhet thënë se në vendin ku mjeti doli nga rruga nuk ka pengesa mbrojtëse anësore.

Njoftimi

“Një aksident i rëndë ka ndodhur rreth orës 04:00, në autostradën Kalimash – Morinë, në afërsi të urës së Kolshit, ku një mjet tip “Benz”, në të cilin udhëtonin shtetasit A. Rr., 25 vjeç dhe Xh. L ., 19 vjeç, ka dalë nga rruga dhe ka rënë në humnerë. Si pasojë, shtetasi A. Rr. ka humbur jetën. Nga shërbimet e Policisë dhe të Zjarrfikëses është bërë e mundur nxjerrja e trupit të pajetë të shtetasit A. Rr. ndërsa shtetasi Xh. L., është dërguar në spitalin e Tiranës, në gjendje të rëndë shëndetësore. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.”