Vendosni fjalën kyçe....

OKB paralajmëron: Lufta në Ukrainë mund të shkaktojë krizë globale ushqimore


Pushtimi rus i Ukrainës së shpejti mund të shkaktojë një krizë globale ushqimore që mund të zgjasë me vite, kështu ka paralajmëruar OKB-ja.

Sekretari i Përgjithshëm Antonio Guterres tha se lufta kishte përkeqësuar pasigurinë ushqimore në vendet më të varfra për shkak të rritjes së çmimeve.

Ai shtoi se disa vende mund të përballen me zi buke afatgjatë nëse eksportet e Ukrainës nuk rikthehen në nivelet e paraluftës.

Siç shkruan BBC, konflikti ka ndërprerë furnizimet nga portet e Ukrainës, të cilat dikur eksportonin sasi të mëdha vaji gatimi, si dhe drithëra si misri dhe gruri.

Kjo ka ulur ofertën globale dhe ka bërë që çmimi i alternativave të rritet. Sipas OKB-së, çmimet globale të ushqimeve janë pothuajse 30% më të larta se e njëjta kohë e vitit të kaluar.

Duke folur në Nju Jork të mërkurën, Guterres tha se konflikti i kombinuar me efektet e ndryshimit të klimës dhe pandemisë, “kërcënon të çojë dhjetëra miliona njerëz në pasiguri ushqimore të ndjekur nga kequshqyerja dhe uri masive”.

“Ka mjaft ushqim në botën tonë tani nëse veprojmë së bashku. Por nëse nuk e zgjidhim këtë problem sot, ne do të përballemi me spektrin e mungesës globale të ushqimit në muajt e ardhshëm.”– shtoi Guterres sipas BBC.

Ai paralajmëroi se e vetmja zgjidhje efektive për krizën ishte riintegrimi i prodhimit të ushqimit të Ukrainës, si dhe i plehrave të prodhuara nga Rusia dhe Bjellorusia, përsëri në tregun global.