Vendosni fjalën kyçe....

Shehu thirrje deputetëve demokratë: Mos i shkoni pas lojës Rama-Alibeaj për presidentin, po i shërbeni forcimit të regjimit


Deputeti i PD-së Tritan Shehu, u ka bërë thirrje kolegëve që të mos bëhen pjesë e asaj që e quan loja Rama-Alibeaj për zgjedhjen e presidentit të vendit.

Në një shënim në Facebook, anëtari i Komisionit të Rithemelimit shkruan se ajo që ndodhi ditën e djeshme te Kryesia e Kuvendit ishte një komedi politike që i shërben kryeministrit për të zgjedhur presidentin që i duhet.

Shehu i paralajmëron kolegët e tijse shkuarja pas lojës Rama-Alibeaj do i ndante ata përfundimisht nga elektorati.

“Të nderuar deputetë të PD, mos u bëni pjesë e qëllimit të mbrapshtë Rama-Alibeaj: Një pseudo e mini-opozitë për të arritur PS-ja 84 votat e nevojshme! Ky ishte konkluzioni i djeshëm i asaj komedie politike të shfaqur tek Kryesia e Kuvendit, e dirigjuar nga ‘shkopi’ i Ballës dhe me një anturazh ‘korist’ në sfond. Alibeaj, pikërisht në fund të atij ‘takimi’ dekonspiroi thelbin e tij kur foli për një ‘opozitë për të arritur 84 votat’. Pra një ‘opozitë’ me 7-10 depuetë, që si shtesë e votave të disponueshme të PS, të arrijnë në numrin e cilësuar të votimit.

Pikërisht, aq sa i duhet Ramës për të zgjedhur i maskuar si liberal një President të tij, pse jo edhe të “propozuar” sa për aparencë nga Alibeja&Co, nqs ai do të siguronte 20 firma propozuesish… Dhe kjo mund të ndodhë edhe në raundin e dytë ose të tretë, nqs Alibeaj&Co do të arrijë të “peshkojë” këto 20 firma opozitarësh koshiente për dëmin e madh që po i bëjnë demokracisë në shkëmbim të…

…ose që akoma nuk po arrijnë të shikojnë realitetin e të kuptojnë qartë ku synon kjo lojë antidemokratike, që po luhet në shërbim të forcimit të këtij regjimi. Prandaj ju lutem…mos u bëni pjesë e asaj që do t’ju ndante përfundimisht me elektoratin tuaj demokrat. Dhe një deputet pa elektorat nuk është deputet, ai mund të jetë vetëm një rrogëtar…por që shpejt do t’i duhet ta lërë edhe atë.” – shkruan Shehu.