Kontrolli i Lartë i Shtetit, institucioni më i lartë i auditimit publik, kremton në datën 25 maj 2022, 97-vjetorin e themelimit të tij.
KLSH u krijua si strukturë e plotë 13 vite pas themelimit të shtetit të parë shqiptar, në vitin 1925. Përmes një njoftimi në faqen zyrtare, KLSH-ja njofton se, në kuadër të 97-vjetorit, do të hapë dyert për qytetarët, për t’u njohur me historikun e institucionit, punën audituese, arritjet dhe sfidat.
“Me rastin e këtij përvjetori, KLSH do të organizojë aktivitetin ‘Java e hapur për publikun’. Duke nisur nga data 23 deri më 27 maj 2022, ora 10:00-14:00, Kontrolli i Lartë i Shtetit do të jetë i hapur për të pritur qytetarë, studentë, profesionistë të fushave të ndryshme apo institucione, për t’i njohur me historikun e institucionit, arritjet e bëra ndër vite, prezantimin e rezultateve të punës audituese, me qëllim informimin dhe ndërgjegjësimin e publikut për rolin e KLSH-së.”– thuhet në njoftim.
Aktiviteti i “Javës së hapur për publikun” do të zhvillohet në mjediset e KLSH-së. Specialistë të institucionit si dhe auditues do të jenë të pranishëm gjatë ditëve të “Javës së hapur për publikun” për të komunikuar me çdo pjesëmarrës në këtë aktivitet.
KLSH fton studentë të universiteteve të ndryshme të marrin pjesë në aktivitetin e “Javës së hapur për publikun”, për t’u njohur edhe me botimet e institucionit ndër vite.
“Hapja” e institucionit për publikun është një traditë e nisur që në vitin 2016 në KLSH, me qëllim rritjen e transparencës dhe komunikimit me të gjitha grupet e interesit.
Hapat e parë për ngritjen e strukturave të kontrollit financiar nisën që në muajt e parë pas Shpalljes së Pavarësisë në 28 Nëntor 1912, por struktura shtetformuese do të konkretizohej e plotë në maj të vitit 1925.