Vendosni fjalën kyçe....

A po ndërhyn Rama në punën tuaj? Arben Kraja: Nuk ndikohemi nga deklaratat publike, ne zbatojmë ligjin


Një ditë pas finalizimit të aksionit të koduar “Golden Bullet”, që kulmoi me arrestimin e 18 personave dhe shpalljen në kërkim të dhjetëra të tjerë, kreu i SPAK-ut Arben Kraja ka raportuar në Komisionin e Ligjeve.

Ai tha se me paratë e konfiskuara nga aktivitetet kriminale janë ngritur laboratorë eksperimentalë.

“Ne kemi ngritur një laborator të ekspertimeve digjitale me fondet e konfiskuara nga aktiviteti kriminal. Kemi aplikuar, kemi marrë fondin, janë blerë pajisjet. Kemi marrë tre nga ekspertët më të mirë që janë në vend e është bërë efecient në fund të vitit 2021. Janë trajnuar prokurorët e hetuesit e BKH. Për periudhën e fundit kanë kryer 118 akte ekspertimi.”– tha Kraja.

Kreu i SPAK-ut iu përgjigj kreut te grupit parlamentar të PD-së Enkelejd Alibeajt, i cili e pyeti a quhen ndërhyrje deklaratat e kryeministrit Edi Rama dhe anëtareve të PS.

Por Kraja tha se prokurorët nuk merren me deklarime publike por zbatojnë ligjet.

“Unë nuk dua të komentoj sepse s’më takon mua të bëj analiza të tilla. Ne kemi parim dhe standard që kemi vendosur të mos ndikohemi nga deklarimet publike. Gjithsecili ka të drejtën e tij të shprehë opinione, ndërsa ne duhet të jemi korrekt me ligjin, këtë parim kemi ndjekur. A duhet një nen për ta ndaluar këtë? Ka qenë diçka e parashikuar, u hoq më pas. Është në dorën tuaj, ne i ushtrojmë funksionet. Nuk është diçka shqetësuese për ta kthyer në nismë ligjore.”- tha Kraja.