Vendosni fjalën kyçe....

Babai i Boris Johnsonit merr nënshtetësinë franceze: Do të jem gjithmonë europian


Stanley Johnson, babai i kryeministrit britanik Boris Johnson, ka marrë nënshtetësinë franceze.

Zyrtarët francezë i thanë agjencisë së lajmeve AFP se 81 vjeçari, mori nënshtetësinë franceze të mërkurën.

Kujtojmë se në vitin 2016, Stanley Johnson bëri fushatë që Mbretëria e Bashkuar të qëndronte në BE, ndërsa djali i tij Boris udhëhiqte lëvizjen e BREXIT.

“Jam shumë i lumtur.”- tha ai sipas mediave britanike. “Do të thotë shumë. Nëna ime ka lindur në Paris. Për mua është diçka shumë e çmuar, është pjesë e identitetit tim.”

Ai citohet gjithashtu të ketë thënë: “Unë do të jem gjithmonë evropian, kjo është e sigurt. Nuk mund t’u thuash anglezëve ‘nuk je evropian’. Evropa është më shumë se tregu i vetëm, është më shumë se Bashkimi Evropian. Thënë kjo, të kesh një lidhje të tillë me BE-në është e rëndësishme.”

Johnson i cili ka qenë vetë një ish-deputet i Parlamentit Evropian, konfirmoi se ai plotësoi aplikimin e tij për nënshtetësinë në konsullatën franceze në Londër nëntorin e kaluar.

Përveçse ishte një ish-deputet, ai është gjithashtu një ish-punonjës i Komisionit Evropian, dhe jetoi me familjen e tij në Bruksel në vitet 1970.