Vendosni fjalën kyçe....

Berisha komenton vizitën e Presidentit të KiE-së: I bëj thirrje për hapjen e negociatave, por Rama po trillon për “murin bullgar”, por është “muri i krimit” po na i mbyll dyert


Në konferencën e sotme me gazetarët, ish-kryeministri Sali Berisha ka komentuar vizitën e presidentit të KiE-së Charles Michel dhe takimin e tij me Edi Ramën.

Nga kjo konferencë, Berisha i bëri thirrje Bashkimit Europian që të nisë hapja e negociatave me Shqipërinë. Megjithatë sipas tij kryeministri Rama po trillon kur thotë se shkaku që ende nuk janë hapur negociatat është Bullgaria. Sipas tij është muri i krimit, i vjedhjeve, i drogës ato që qëndrojnë si faktor që mbyllin dyert Shqipërisë për hapjen e negociatave.

“Sot në Shqipëri është P0residenti i KE, unë e përshëndes vizitën e tij, një vizitë është mbështetje, por përpjekje e Ramës për të paraqitur murin bullgarë si pengesë për hapjen e negociatave janë fund e krye trillim. Nuk është muri bullgarë, por muri i krimit, i vjedhjeve, i drogës ato që qëndrojnë në të vërtetë si faktor që mbyllin dyert Shqipërisë për hapjen e negociatave.

Megjithatë jam këtu për t’i bërë thirrje BE dhe vendeve anëtare së pari të hapin negociatat me Shqipërinë, siç tregonte me objektivitet rezoluta e Parlamentit Europian, Shqipëria nuk i ka plotësuar kushtet, por mendoj se hapja e negociatave dhe qëndrimi në kapitujt përkatës për kushtet është mënyra më e drejtë që qytetarët shqiptarë të vetëdijesohen se ku qëndroj shkaku i vërtetë i bllokimit, te mosplotësimi i kushteve, ndaj dhe unë uroj dhe shpresoj të predominojë ky mendim, i cili në një farë formë është shprehur dhe një vit më parë nga Bundestagun Gjerman. Mos hapja e negociatave, është një akt me pasoja të rënda, për vendin dhe rajonin.”– tha Berisha.