Vendosni fjalën kyçe....

Charles Michel: Shqipëria i ka plotësuar çdo kusht, sa më parë të nisin negociatat


Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama, Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka deklaruar se Shqipëria meriton të hapen sa më parë bisedimet me Bashkimin Evropian.

Ai shtoi se konferenca e parë duhet të mbahet sa më shpejt.

“Është kënaqësi që rikthehem në Shqipëri. Që nga vizita në fillim 2020 shumë gjëra kanë ndryshuar, kriza e COVID dhe lufta në Ukrainë. Një gjë nuk ka ndryshuar dhe nuk do ndryshojë kurrë angazhimi ynë për integrimin tuaj në BE. Sot momenti për t’u takuar me një mik dhe aleat të vërtetë. Ne vazhdojmë të rrisim presionin ekonomik ndaj Rusisë, dëshiroj t’ju falënderoj për punën tuaj, sidomos në Këshillin e Sigurimit. Ju keni qenë një partner i besueshëm dhe një mik dhe aleat i vërtetë.
Ne diskutuam dhe marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe BE-në. BE mbetet financuesi më i madh për Shqipërinë, duhet të japim energji të reja për integrimin.

Ne duhet të bëjmë përshpejtimin e integrimit. Ne do të kemi një takim të 27 udhëheqësve të BE-se me ju dhe vendet e Ballkanit Perëndimor. Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kushtet për të nisur bisedimet me BE dhe duhet konferenca e parë duhet të mbahet sa më parë. Restaurimi i mozaikut është një simbol i fuqishëm i trashëgimisë së Shqipërisë dhe bashkëpunimin me BE-në. Javët në vijim do jenë kyçe, shpresojmë se do marrim vendimet e duhura dhe të drejta.”- deklaroi Michel pas takimit me Ramën.