Në dëshminë e të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumani, janë mësuar detaje mbi shumë çështje kriminale dhe mbi të gjitha “porosi vrasjesh”, ku mes të cilave përmendim dhe konfliktin e avoktit Alban Bengasi me ish-gruan.
Dumani ka rrëfyer se Bengasi, i cili punonte për llogari të bandave, u kishte kërkuar t’i vrisnin ish-gruan duke ofruar 120 mijë Euro.
Kjo e fundit, Blerta Bengasi (Ruçi) në fakt e kishte denoncuar dhunën e ish-bashkëshortit në emisionin investigativ “Stop” në vitin 2020. Por do duhej të kalonin gati dy vite që ai të shpallej në kërkim nga SPAK.
Denoncimi i Blerta Bengasit
Pas divorcit gjyqtarja Irena Plaku kishte vendosur që kujdestaria e fëmijëve t’i kalonte të atit, pavarësisht urdhrave të mbrojtujes që Blerta kishte marrë ndaj tij dhe nëna duhet t’i takonte fëmijët çdo të martë, të enjte dhe të shtunë, pas mësimit. Por që nga muaji mars i 2020-ës, ish-bashkëshorti Alban Bengasi nuk ia kishte lejuar asaj fëmijët.
Në programin investigativ, Blerta Bengasi tregonte dramën që ka përjetuar pas ndarjes së dhunshme, ku i është dashur të përballet dhe me ftohjen e djalit 7-vjeçar, i cili nuk i afrohet. Sipas saj, megjithë vendimin e gjykatës se duhet të takonte fëmijët pas shkolle, punonjësit e shkollës nuk e lejonin pasi kështu ishin “porositur” nga ish-bashkëshorti i saj.
Edhe kur pas ndërhyrjes së emisionit do të kryhej më në fund takimi i nënës me fëmijët me praninë e përmbarues-psikolog-shkollë, përmbaruesi Klodian Petri ishte kërcënuar me jetë. Sipas programit, Alban Bengasi, duke thyer urdhrin e mbrojtjes, vjen në shkollë i shoqëruar nga 7 persona dhe kërcënon përmbaruesin, se do ia mbushë barkun me plumba.
“Më kanë kërcënuar se do më mbushin barkun me plumba dhe më kanë pështyrë.“ – tregonte ai para policisë.
“Unë kërkoj që të takoj fëmijën tim. Me urdhër mbrojtje unë jam e pambrojtur. Kë të mbroj më përpara? Veten time, fëmijët e mi, përmbaruesinl, psikologet, apo policia që s’bën gjë fare? Të gjithë po japin dorëheqjet duke më lënë në mes të rrugës. Kjo është pozita e një femre të divorcuar në Shqipëri.”– shprehej Blerta Bengasi lidhur me incidentin.
Sikur të gjitha këto peripeci të mos mjaftonin, Blerta tregonte se ajo ishte dhunuar dhe policia në vend, që të sekuestronte kamerat, thotë se atë ditë ato nuk kanë punuar.
Pjesë nga biseda:
Qytetarja: Më datë 24 mua më dogjën makinën dhe erdha te informohem, çfarë është bërë rreth kësaj ngjarjeje?
Shefi Artemis Merko: Me pamjet filmike është marrë ai Luan Sinanaj, është oficeri. Ndërsa, materialin duhet ta ketë referuar Arjani, me aq sa di unë, referuar në Prokurori. A kupton? Se ishin ja 8 kamera më duket! Me sa pashë unë, ato pamje nuk ishin se ishin dhe aq të mira!
Polici: Normalisht, duhet t’ju kishte thërritur Prokurori. Veprimet tona janë kryer!
Dëshmia e Dumanit që zbuloi “porosinë për vrasje”
Të gjitha këto u konfirmuan pas afro 2 vitesh, pas dëshmisë së të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani. Sipas bashkëpunëtorit të drejtësisë, Bengasi i kishte ofruar atij 120 mijë euro për vrasjen e ish-gruas, pasi donte të hakmerrej sepse pretenonte se ajo e kishte tradhtuar me shokun e ngushtë.
Sipas Dumanit, ai nuk kishte pranuar që “punën” ta bënte vetë, pasi nuk i pëlqente të rrihte gra. Prandaj këtë porosi ua kaloi Eljo Bitrit dhe një djali tjetër.
Ai tregon se pasi e kishin ndjekur për ditë me radhë Blerta Bengasi (Ruçin), Eljo Bitri e kishte qëlluar atë me grushte në fytyrë deri sa i del gjak. Por avokati ishte i pakënaqur pasi ajo nuk kishte thyer ‘as krah dhe as këmbë’.
“Dua të shtoj se Festimi donte patjetër që t’i thyenim një këmbë ose një dorë. Eljo mbasi mbaroi punën më ka shkruar mesazh dhe më pas kemi pirë kafe duke më thënë që e kreva atë punë. Më tregoi që i kishte rënë me grushta fytyrës derisa e kishte parë që kishte qenë duke i dalë gjak nga fytyra. Godija ka ndodhur brenda në mjeti. Goditja ka ndodhur përballë byrektores. Unë e prisja gruan që kur dilte nga shtëpia nuk e mbaj mend orën, dhe e ndiqja deri tek byrektoret në fakt e ndiqja kudo që shkonte ajo, doja të dija me imtësi rrugët që bënte ku shkonte që ti jepja informacion të plotë çunave. Shkova te Festimi i kërkova lekët por ai nuk ishte i kënaqur sepse nuk kishim thyer as këmbë as dorë por vetëm turinjtë. Festimi në atë moment kishte folur me avokatin. Avokati nuk ishte i kënaqur sepse nuk ishte arrit kërkesa e tij, ai donte që gruaja e tij të ishte sa më e dëmtuar. Avokati pagesën ja dha Festimit dhe i kishte kërkuar Festimit që të bënim një takim të 3 të shkoja dhe unë që të diskutonim që ta eleminonim gruan e tij komplet pasi nuk donte që të ishte më gjallë. Mesa di unë avokati nuk donte që gruaja e vet të ishte gjallë pasi ajo e kishte tradhtuar me një shokun e vet të ngushtë.”– ka treguar Dumani në dëshminë e tij sipas ABC News.
Madje avokati Bengasi herën e dytë i kërkon Dumanit që t’i vriste ish bashkëshorten, dhe si këmbim do i jepte 120 mijë euro. Por për Dumanin kjo ishte një shumë e vogël, pasi bëhej fjalë për vrasjen e një gruaje.