Vendosni fjalën kyçe....

Komentet për deputetin e CDU-së/ Bardhi i përgjigjet Berishës: Mos bëj sikur s’dëgjon dhe nuk kupton, po e izolon PD-në


Deputeti Gazment Bardhi ka reaguar pas thirrjes së ish- kryeministrit Sali Berisha për deputetin gjerman Gunther Krichbaum që të mos ndërhyjë në çështjet e PD-së.

Beridha në konferencën e sotme për mediet tha se deputeti i CDU-së nuk duhet të ndërhyjë në punët e PD pasi ai një ditë më parë ishte shprehur se nuk do të bashkëpunojnë me PD-në, nëse ajo i kthehet së kaluarës.

Bardhi thotë se Sali Berisha “nuk mund të fshihet dhe të bëjë sikur nuk dëgjon dhe nuk kupton”. Sipas tij Berisha duhet të dëgjojë apelin e partnerëve ndërkombëtarë, pasi po e izolon PD-në ndërkombëtarisht.

“Sali Berisha duhet të dëgjojë apelin e partnerëve ndërkombëtar dhe të ndal pengmarrjen e PD për interesa të tij. Pas qëndrimit të qartë të SHBA-ve, tashmë edhe partnerët e BE-së po flasin për rrezikun e izolimit të PD nëse Sali Berisha vijon me projektin për marrjen peng të PD.

Ndërkohë Gunther Krichbaum deputet i CDU/CSU në Bundestag, dhe një mik dhe zë mbështetës i PD për shumë vite, ka bërë të qartë se: nëse PD dëshiron të bashkëpunojë në nivel ndërkombëtar, por edhe të marrë në dorë drejtimin e vendit, duhet të mos kthehet tek e shkuara.

Sali Berisha nuk mund të fshihet dhe të bëjë sikur nuk dëgjon dhe nuk kupton. Ky është momenti që të mos bëjë sikur nuk kupton se po e fut Partinë Demokratike në një rrugë pa krye, duke e izoluar ndërkombëtarisht dhe duke çimentuar në këtë mënyrë regjimin e Edi Ramës.”– thotë Bardhi në një postim në “Twitter”.

Krichbaum tha dje se Partia Demokratike ka marrë mesazhe të qarta nga amerikanët dhe duhet “t’i dëgjojë”. Ai shtoi se nuk do ketë më bashkëpunim me PD-në nëse rikthehet në të shkuarën, duke iu referuar një rikthimi të Berishës si kryetar.