Sekretarja amerikane e Thesarit, Janet Yellen tha të mërkurën se nuk do të ishte e ligjshme që Shtetet e Bashkuara të konfiskonin asetet e ngrira të Bankës Qendrore ruse për të ndihmuar në rindërtimin e Ukrainës.
Yellen po i referohej aseteve të vlerësuara prej 300 miliardë dollarësh nga Banka Qendrore e Rusisë që janë bllokuar nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj si pjesë e sanksioneve të tyre për operacionin ushtarak të Moskës në Ukrainë.
Kohët e fundit ka pasur diskutime midis aleatëve perëndimorë se si të financohet rindërtimi afatgjatë i Ukrainës dhe nëse asetet e ngrira ruse mund të luajnë një rol.
“Unë mendoj se është shumë e natyrshme që duke pasur parasysh shkatërrimin e madh në Ukrainë dhe kostot e mëdha të rindërtimit me të cilat do të përballen, ne do të shikojmë nga Rusia për të ndihmuar të paguajmë të paktën një pjesë të çmimit që do të përfshihet.” – u tha Yellen gazetarëve.
Ajo megjithatë, shtoi: “Thënë kjo, ndërsa ne po fillojmë ta shikojmë këtë, nuk do të ishte e ligjshme tani në Shtetet e Bashkuara që qeveria t’i konfiskonte ato asete. Nuk është diçka që është ligjërisht e lejueshme në Shtetet e Bashkuara.”
Moska ka dënuar bllokimin e rezervave të saj ndërkombëtare, duke thënë se nuk mund të parashikonte një zhvillim të tillë dhe se ngrirja në thelb përbën vjedhje. Disa ekspertë e kanë quajtur gjithashtu ngrirjen e aseteve ruse humbjen më të madhe të besueshmërisë për SHBA-në dhe aleatët e saj, si dhe për sistemin financiar perëndimor.
Muajin e kaluar, presidenti amerikan Joe Biden i kërkoi Kongresit t’i jepte atij autoritetin për të sekuestruar asetet e individëve të pasur që besohet se kanë lidhje me Kremlinin dhe t’i përdorin ato për të rindërtuar Ukrainën.