Vendosni fjalën kyçe....

Kremlini: Rusia nuk do të japë gaz falas


Rusia nuk do të furnizojë gaz natyror falas për vendet që refuzojnë të kalojnë në skemën e re të pagesës në rubla. Kështu tha këtë të premte zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

“Natyrisht, askush nuk do t’i ofrojë askujt asgjë falas.”- u tha Peskov gazetarëve, sipas RT.

Peskov u pyet nga gazetarët nëse dërgimi i gazit për kompaninë finlandeze Gasum do të përfundojë këtë javë.

“Nuk kemi informacion për të gjitha kompanitë me të cilat Gazprom ka kontrata. Kjo nuk është prerogativa jonë. Për detajet, sigurisht, duhet të pyesni Gazprom.”- tha zëdhënësi i Kremlinit.

Në muajin mars, presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi qeverinë, bankën qendrore dhe Gazprombank të zhvillojnë mjetet e nevojshme për të kaluar të gjitha pagesat për gazin natyror rus nga “shtetet jomiqësore” në rubla pas 1 prillit. Masa zbatohet për vendet që kanë vendosur sanksione mbi Rusinë dhe kanë ngrirë rezervat e saj valutore.

Kremlini paralajmëroi se nëse ky kusht nuk plotësohet, dërgesat do të ndërpriten. Polonia dhe Bullgaria tashmë janë ndërprerë nga gazi rus për shkak të refuzimit të tyre për të pranuar sistemin e ri të pagesave. Finlanda mund të ndërpritet këtë fundjavë nëse pagesa në rubla nuk bëhet.