Vendosni fjalën kyçe....

Policit në Shkodër i hedhin në erë lokalin, autori i veshur si grua me fustan dhe paruke (VIDEO)


Në foto efektivi Ndrek Rrasa (majtas) dhe djathtas pamje të kamerave të sigurisë nga momenti i ngjarjes

Një shpërthim me tritol ka ndodhur në orën 02:20 të mëngjesit të sotëm në Shkodër dhe më pas është djegur dhe një furgon i parkuar para tij.

Të dy objektet mësohet se janë në pronësi të efektivit të policisë së Komisariatit Shkodër, Ndrek Rrasa.

“Rreth orës 02:20, në fshatin Grudë e re, Shkodër, ka shpërthyer lëndë plasëse në derën e lokalit të shtetasit N. Rr. 46 vjeç , banues në fshatin Grudë e re, me detyrë punonjës policie pranë Komisariatit të Policisë Shkodër.
Për pasojë ka vetëm dëme materiale në lokal si dhe është dëmtuar edhe mjeti i tij autobus, i parkuar para lokalit.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, po punon për zbardhjen dhe sqarimin e plotë të kësaj ngjarje.”- bën me dije policia.

Efektivi Ndrek Rrasa pas ngjarjes ka deklaruar për grupin hetimor se nuk ka konflikte dhe se nuk e di se kush mund të jetë autori i vendosjes së lëndës shpërthyese në lokalin e tij.

“Nuk kam konflikte me persona të tjerë dhe nuk e kam idenë se kush mund ta ketë vene tritolin apo se kush e ka djegur autobusin.”- ka thënë ai sipas “Balkanweb”.

Pamjet e kamerave të sigurisë nga vendi i ngjarjes, tregojnë një person të veshur si grua, me fustan dhe paruke të zeza. Personi ku fillimisht vendos flakë në derën e lokalit, dhe më pas poshtë furgonit.