Vendosni fjalën kyçe....

Anthony Albanese zgjidhet kryeministër në Australi


Australia ka zgjedhur qeverinë e parë të saj laburistë në një dekadë dhe Anthony Albanese do të bëhet kryeministri i parë australian që nuk vjen nga një prejardhje anglo-kelte.

Një nga politikanët më jetëgjatë të Australisë, Albanese thotë se është koha që parlamenti të reflektojë “Australinë moderne”, duke përmendur gjithashtu fillimet e tij modeste si fëmijë në banesat publike.

Ai gjithashtu ka fituar një reputacion si një mbrojtës i sistemit të kujdesit shëndetësor falas të Australisë, një avokat i komunitetit LGBT, një republikan dhe një tifoz i pasionuar i ligës së regbit.

Origjina “arbëreshe” e Anthony Albanese

Mbiemri i kryeministrit të ri australian, mesiguri ju tërheq vëmendjen pasi përkthehet “Shqiptari”.

E në fakt, edhe pse ka lindur në Sydney, Anthony Albanese besohet se ka origjinë arbërreshe. Kjo pasi babai i tij Carlo Albanese, është nga qyteti italian Barletta. Barletta është qyteti ku Skënderbeu me 5 mijë ushtarë shqiptarë nën komandën e tij, shtypi kryengritjen kundër mikut të tij Ferdinandi I i Napolit. Edhe emri i qytetit Barletta konsiderohet si mbiemër me orgjigjinë arbëreshe.

Por Anthony Albanese ka treguar nëpër intervista se ai kur ka qenë i vogël është rritur me idenë se babai i tij kishte vdekur në një aksident automobilistik.

Albanese u rrit nga nëna e tij beqare, Maryanne, në banesat publike të Sidneit pa e ditur se diku në Evropë kishte një baba.

“Ajo që më thanë ishte se (nëna ime) udhëtoi jashtë shtetit, takoi babanë tim, u martua me të jashtë shtetit, u kthye në Australi dhe se ai vdiq në një aksident me makinë.”– tregonte Albanese në një intervistë, citon ABC.net.au. “Kjo ishte ajo që më thanë dhe që në moshë të re, kjo ishte ajo që besoja.”

Por kur ai ishte rreth 14 ose 15 vjeç, nëna e tij zbuloi se në fakt kishte shumë më tepër nga kjo histori dhe se babai i tij mund të ishte ende gjalë.

Tre dekada më vonë, ai gjeti Carlo Albanese.

Duke ndjerë një ndjenjë detyrimi ndaj nënës së tij, Albanese nuk e kërkoi menjëherë babain por priti deri pas vdekjes së nënës së tij në 2002.

“Ishim duke vizituar varrin e nënës sime kur Nathan (djali i tij) ishte një djalë i vogël dhe më pyeti: ku është babi yt?”– ka treguar Albanese për momentin kur kuptoi se kishte ardhur koha ta kërkonte babanë.

Ai fluturoi për në Itali për ta takuar atë dhe gjysmëvëllezërit e tij.

Kërkimi për babanë nisi vetëm me një foto

Fotoja që e ndihmoi të gjente babanë: Maryanne (djathtas) me vëllain dhe miqtë e saj në dhomën e ngrënies të anijes Fairsky me Carlo Albanese (majtas)

Albanese kishte një informacion të rëndësishëm.

“Ne kishim një foto nga anija (Fairsky) ku ai punonte si stjuardes, ku takoi nënën time gjatë udhëtimit nga Sydney për në Londër.”- tregoi zoti Albanese.

Kështu ai nisi të kërkonte ndihmë tek kompania që kishte marrë përsipër asokohe linjën e lundrimit të anijes.

“Njoha Ann Sherry, drejtuesen e Carnival Cruises, dhe e pyeta nëse kishte ndonjë ndihmë që ajo mund të jepte.”

Zonja Sherry nuk mund t’i premtonte asgjë, por tha se do të pyeste.

“Ajo foli me një historian detar, këtë njeri të mrekullueshëm, Rob Henderson, i cili është i magjepsur nga historia detare.”– tha Albanese.

Henderson sapo kishte shkuar në një konferencë në Bari, në Italinë jugore, dhe tha se do të bënte hetime.

“Ishte me të vërtetë një gjilpërë në kashtë, gjetja e kompanisë që ishte shpërbërë që atëherë, por ishte me bazë në Genova.”- tha zoti Albanese.

Më pas Hendersen kishte gjetur një kuti në një magazinë të vjetër.

“Pjesa më e madhe e saj ishte shkatërruar – por kutia kishte në fakt detajet e vendit të punës dhe adresën e babait tim … dhe ai jetonte në të njëjtën adresë shumë vite më vonë.”

Henderson i tha zonjës Sherry për gjetjen, e cila i telefonoi zotit Albanese.

“Është një moment që nuk do ta harroj kurrë. Isha në zyrat parlamentare të Commonëealth, isha gati të drejtoja një darkë të Këshillit Australian të Transportit.

E mora këtë telefonatë sapo ishim gati të largoheshim dhe ajo – ishte bisedë shumë e shkurtër – ajo tha ‘e gjetëm atë’ dhe më mori frymën sepse nuk e mendoja se do të ndodhte.”- tregon Albanese.