Vendosni fjalën kyçe....

Gledis Nano: Më 25 Maj s’ka shtetrrethim por festë, po identifikojmë personat me tendenca të dhunshme, s’lejojmë njeri të na prishë imazhin


Drejtori i Policisë së Shtetit, Gledis Nano ka dalë sot në një deklaratë për mediat lidhur me masat që do të merren në datën 25 maj.

Nano theksoi para gazetarëve se nuk do të ketë shtetrrethim por do të konsiderohet si ditë feste dhe policia do të ketë postoblloqe për të mos lejuar qytetaret nga rrethet të futen në Tiranë nëse nuk janë nisur për ndeshjen duke patur parasysh numrin e lartë të tifozëve.

Kreu i Policisë tha gjithashtu se po hetohet në bashkëpunim me autoritetet e huaja për të identifikuar personat e njohur për akte të dhunshme si tifozë.

 “Këto ditë është thënë që në 25 maj do ketë një shtetrrethim. Dua t’u bëj me dije e t’u kërkoj mirëkuptim qytetarëve që data 25 do jetë ditë feste. Mos përhapim panik lidhur me shtetrrethime. Patjetër që do ketë bllokim të rrugëve. Tirana do jetë e bllokuar për ata që duan të vijnë në Tiranë.

Masat e marra deri më tani janë masa që i kanë ndarë që në ardhje të dy tifozeritë. Po kështu dhe fun- zon që do jenë në Tiranë, janë marrë masa që të mos lejohen dy tifozeritë të krijojnë përplasje.

Është e vërtetë që tifozeritë kanë dhe ultras apo tifozë me tendenca të dhunshme e huligane, por kjo është një ditë feste e duhet të jetë promovim i vlerave të qytetarëve evropianë.

S’do lejojmë kurrsesi që një pakicë e vogël tifozësh që nën efektin edhe të pijeve alkoolike apo adrenalinës që shkakton sporti të prishin imazhin e vendit tonë. 

Jemi në bashkëpunim me autoritetet e huaja me qëllim identifikimin e këtyre personave e masat do jenë profesionale që këto akte të mos ndodhin.”- tha drejtori i Policise se Shtetit Gledis Nano.

Më 25 Maj për herë të parë,  do të zhvillohet në stadiumin “Air Albania” në Tiranë finalja e Conference League.